Zyrat e “Mossack Fonseca”-s bastisen edhe në Panama

13/04/2016 00:00

Pas Ekuadorit, edhe autoritetet në Panama – ku firma ligjore ka selinë e saj, – bastisën zyrat qendrore të “Mossack Fonseca”-s për gjurmë të aktiviteteve të paligjshme.

Studioja ligjore në zemër të skandalit “Panama Papers” është akuzuar për mashtrime dhe evazion fiskal. Rrjedhja gjigante e mbi 11.5 milionë dokumenteve të 40 viteve ekzistence të saj tronditi mbarë botën më 3 prill, kur hodhi dritë mbi mënyrën sesi i përdorin të pasurit dhe të pushtetshmit kompanitë “offshore” për të fshehur asetet e tyre.

Për rrjedhojë, kryeministri i Islandës Sigmundur David Gunnlaugsson dha dorëheqjen dhe tensionet po shtohen mbi një sërë udhëheqësish të tjerë apo të afërmish të tyre në të gjithë globin, përfshirë këtu kryeministrin britanik David Cameron dhe Presidentin e Kinës, Xi Jinping.

Bashkëthemeluesi i firmës ligjore, Ramon Fonseca këmbëngul se kompania nuk ka shkelur asnjë ligj, nuk ka shkatërruar asnjë dokument dhe se, të gjitha operacionet e saj kanë qenë të ligjshme.

Zyra e prokurorit të Përgjithshëm, aty ku Fonseca depozitoi ankesën e tij se firma ishte vjedhur piratisht nga jashtë kufijve, deklaroi se do të ketë kontrolle në të gjitha degët e saj.

Fonseca shërbente si ministër në qeverinë e Juan Carlos Valeras, por u largua në fillim të vitit, pas akuzave që e lidhnin studion e tij me skandalin e korrupsionit, që ka përfshirë gjigantin shtetëror brazilian të naftës, “Petrobras”.

Top Channel