Spanjë, arrestohet furnizuesi i sulmeve të Francës

13/04/2016 00:00

Autoritetet spanjolle njoftuan arrestimin e një personi të dyshuar si të lidhur me Amedy Coulibaly, terroristi që vrau katër persona në një supermarket në janar të 2015 në Francë.

Antoine Denice, 27 vjeç, u arrestua falë një operacioni të përbashkët mes autoriteteve spanjolle dhe atyre franceze në qytetin e Malagas.

27-vjeçari dyshohet se ka furnizuar me armë Coulibaly-n dhe bashkë me të u prangosën edhe dy persona të tjerë, një shtetas malazez dhe një serb, që mendohet se janë pjesë e një rrjeti trafiku armësh.

I dyshuari mendohet se ka lënë Francën disa javë pas sulmeve të 9 janari. Në total 17 persona gjetën vdekjen nga sulmet terroriste që zgjatën 3 ditë. Vëllezërit Cherif dhe Said Kouachi vranë 12 vetë gjatë sulmit në zyrat e revistës Charlie Hebdo më 7 janar, ndërsa Coulibaly vrau një police në Montrouge një ditë më vonë

Pas kësaj ai iu drejtua një supermarketi në një lagje hebrenjsh ku mbajti peng për orë me radhë dhjetra persona, deri në momentin kur ndërhyu policia që e la të vdekur dhe i dha fund pengmarrjes.

Top Channel