Konflikti sirian, luftimet në Aleppo rrezikojnë dialogun për paqe

13/04/2016 00:00

OKB pritet të nisë një raund të ri bisedimesh në Gjenevë, në përpjekjen për t’i dhënë fund konfliktit në Siri. Përfaqësuesit e opozitës mbërriten në Gjenevë të martën, ndërsa ata të qeverisë do t’i bashkohen të premten.

I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara, Staffan de Mistura paralajmëron se, ekziston një nevojë urgjente për bashkëpunimin e qeverisë me opozitën, në mënyrë që të hidhen hapa drejt tranzicionit politik.

Pas takimit me zv.ministrin e Jashtëm iranian, Hossein Amir-Abdollahian, në Teheran, Mistura tha se donte që ky raund bisedimesh të ishte mjaft konkret. Por, për korrespondentët, perspektiva është e zymtë, me luftimet në Aleppo që kërcënojnë armëpushimin e brishtë 6-javor. Diplomati suedezo-italian theksoi gjithashtu rëndësinë e madhe të mbajtjes së armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA dhe Rusia, si dhe hyrjes së ndihmave në çdo cep të Sirisë.

Përfaqësuesja e përhershme e SHBA-ve në OKB, Samantha Power paralajmëroi më vonë se, përshkallëzimi i dhunës në Aleppo kërcënonte të minonte bisedimet. Power tha se Shtetet e Bashkuara, që mbështesin opozitën, ishin mjaft të alarmuara lidhur me njoftimin e qeverisë për një ofensive madhore në qytetin e Aleppos.

Sipas Observatorit sirian për të Drejtat e Njeriut, me bazë në Londër, dhjetëra luftëtarë proqeveritarë u vranë të martën, ndërsa përpiqeshin të rimerrnin në duar fshatin al-Eis.

Ndërkohë, në zonat e kontrolluara nga qeveria po zhvillohen zgjedhjet parlamentare. Rusia, aleat kyç i Bashar al-Assadit, tha se votimi nuk cënon bisedimet e paqes dhe është në përputhje me Kushtetutën. Për opozitën dhe mbështetësit e saj, zgjedhjet janë të paligjshme dhe provokuese.

Top Channel