Alarm për rikthimin e Al Kaedës. Grupi, mjaft aktiv në Afganistan

13/04/2016 00:00

Kur e gjithë bota ka përqëndruar përpjekjet në gjetjen e strategjive efektive për mposhtjen e ISIS-it, një kërcënim i vjetër rrezikon të rikthehet fuqishëm në skenën globale. Al Kaeda, arsyeja që nxiti SHBA-të të pushtonte Afganistanin, vazhdon të jetë mjaft aktive dhe një kërcënim i madh në vend.

Këtë tha për CNN ministri i Mbrojtjes në detyrë, Masoom Stanikzai, sipas të cilit, grupi terrorist po ruante një profil të ulët, por në fakt po zgjerohej.

“Ata janë me të vërtetë shumë aktivë. Po punojnë në qetësi e po riorganizojnë veten, duke u përgatitur për sulme më të mëdha. Ata po qëndrojnë në prapaskenë, duke ndihmuar rrjetet e tjera me eksperiencën e tyre. Megjithëse nuk po japin deklarata për shtyp, ata janë një kërcënim shumë i madh”, tha Stanikzai.

Këtë e konfirmoi edhe një zyrtar i lartë amerikan, i cili tha se ishin të shqetësuar për krerët e Al Kaedës në zona të largëta të vendit dhe se, radhët e grupit në Afganistan mund të jenë më të mëdha nga ç’mendohej.

Sipas gjeneralit Jeff Buchanan, zv.shef i Shtabit të Ushtrisë amerikane në Afganistan, zbulimi i një kampi trajnimi të Al Kaedës në provincën e Kandaharit nënkuptonte se, vlerësimet e mëhershme të SHBA-ve për fuqinë e grupit duhet të rishikoheshin. Ai paralajmëroi se, qëllimi kryesor i grupit mund të jetë sërish goditja e shënjestrave perëndimore.

Paralajmërimet për rishfaqjen e grupit terrorist vijnë ndërkohë që forcat e qeverisë përballen me sfida të rëndësishme, me talebanët që po fitojnë terren, duke krijuar edhe lidhje me Al Kaedën dhe ISIS-in, që po shton gjurmët e tij në vend.

Top Channel