SHBA, republikanët pësojnë goditjen e dytë: Paul Ryan tërhiqet nga Presidencialet

12/04/2016 00:00

Gara republikane për nominimin e kandidatit që pritet me të gjitha gjasat të sfidojë Hillary Clintonin nga krahu demokrat, ka marrë këtë të martë një zhvillim të papritur.

Republikanët, pasi panë t’u digjej karta e parë në primaret presidenciale, senatori i Floridës Marco Rubio, i cili u mposht në shtetin e tij prej miliarderit Donald Trump, tashmë marrin edhe goditjen e dytë: kreu i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, emri i të cilit përflitej së tepërmi si pretendent për të fituar nominimin presidencial në rast se do të zhvillohej Konventa e korrikut, pritet ta përjashtojë mundësinë e kandidimit.

Ndihmësit e Paul Ryan kanë folur për mediat amerikane, duke siguruar se ai do ta përjashtojë edhe zyrtarisht një kandidim të mundshëm në zgjedhjet presidenciale të nëntorit të këtij viti. Një gjë të tillë ai e ka shprehur disa herë, por zyrtarizimi pritet në orët në vijim në SHBA.

Konventa e republikanëve në Cleveland gjatë korrikut të këtij viti pritet të mbahet në rast se, as Donald Trump, as John Kasich dhe as Ted Cruz nuk do të munden të fitojnë mbështetjen e 1237 delegatëve. Primat që zhvillohen shtet pas shteti, e që javën e ardhshme do të ndalen në Nju Jork, përcaktojnë edhe numrin e delegatëve që angazhohen në krah të një kandidati të veçantë.

Manjati i pasurive të paluajtshme, Donald Trump vijon ende kryesimin sa i përket numrit të delegatëve të grumbulluar, por mundet të mbesë shumë pak larg numrit “magjik” 1237, i nevojshëm për të siguruar automatikisht nominimin presidencial.

Në Konventën që mund të mbahet për pasojë, delegatët janë të lirë të mbështesin kë të duan, duke i hapur derën kështu qoftë senatorit të Teksasit, Ted Cruz, ashtu dhe kandidatit të tretë në radhë, Kasich.

Mirëpo, shumica në Partinë Republikane kishin shpresuar që Ryan të dilte si kandidat pikërisht në këtë fazë të zgjedhjeve, me besimin se ai do të mund të ishte një figurë më efektive dhe më pak përçarëse sesa Trump apo Cruz.

Paul Ryan pritet të bëjë një deklaratë nga selia e Komitetit Kombëtar Republikan vetëm pak më vonë, teksa mbahet mend si garues ndihmës në favor të Mitt Romneyt në zgjedhjet presidenciale të vitit 2012.

Top Channel