Brazil, vështirësohen pozitat e presidentes Rousseff

12/04/2016 09:35

Presidentes së Brazilit, qëndrimi në pushtet po i bëhet gjithmonë e më i vështirë. Vota e komisionit 65-anëtarësh të Kongresit veniti shpresat e saj për të shmangur procedurat e hetimit, mes pretendimeve se ka manipuluar të dhënat qeveritare, me qëllim fshehjen e deficitit të lartë buxhetor.

Të gjithë sytë do të kthehen tani te votimi i plotë në Dhomën e Ulët të Parlamentit, i parashikuar të mbahet më 17 ose 18 prill. Kjo çështje e ka përçarë thellë vendin, e policia po përgatitet për protesta masive në kryeqytetin Brazilia.

Votimi në komision erdhi mes skenave kaotike të krijuara mes mbështetësve dhe kundërshtarëve të Rousseffit, që përsërisnin slogane e shpalosnin pankarta. Edhe pse ky votim në vetvete është përgjithësisht simbolik, ai u pa si test për mbështetjen ndaj procesit hetimor përpara votës së plotë në Dhomën e Ulët.

Një shumicë prej dy të tretash nevojitet atje, që çështja të përfundojë në Senat dhe sondazhi më i fundit, i publikuar nga e përditshmja “Estadao” tregon se, 292 nga 513 anëtarët janë në favor të hetimit, 115 janë kundër dhe 106 janë të pavendosur.

Senati në parim e ka fuqinë ta pezullojë Presidenten, ta çojë në gjyq e në fund edhe ta shkarkojë nga detyra. Popullariteti i Rousseffit ka rënë ndjeshëm muajt e fundit, i goditur rëndë prej rënies ekonomike dhe skandalit dëmtues të korrupsionit, që rrethon gjigantin shtetëror të naftës, “Petrobras”.

Top Channel