Brazil, Presidentja Roussef akuzon zëvendësin: Pjesë e komplotit ndaj meje

12/04/2016 00:00

Presidentja braziliane, Dilma Rousseff ka denoncuar atë që e quan një komplot për “grusht shteti” ndaj saj, teksa drejton edhe gishtin nga zëvendëspresidenti, Michel Temer, të cilin e quan si një prej “konspiratorëve”.

Presidentja, e cila përballet me gjykimin që do t’i bëjë Kongresi kombëtar me votë, la të kuptohej se zëvendësi i saj është njëri prej udhëheqësve të rrjetit që po komploton për rrëzimin e saj.

Për këtë akuzë të rëndë konspiracioni, ajo thotë se ekziston edhe prova, pikërisht mesazhi audio i publikuar të hënën nga Temer, pavarësisht se këtij të fundit nuk ia përmend emrin. Mesazhi në fjalë bënte thirrje për një qeveri të unitetit kombëtar.

Temer tha se mesazhi ishte publikuar aksidentalisht, por korrespondentët bëjnë të ditur se, ai regjistrim audio tregon se gjykimi i Rousseff tashmë ka ndodhur. Në mesazhin audio, zëvendëspresidenti dëgjohet teksa lexon fjalimin përurues disa orë përpara votimit të rëndësishëm nga një komitet i Kongresit, që do të vendosë nëse procedimet për ngritjen e akuzës ndaj Presidentes Rousseff duhet të vijojnë apo jo.

“Ata po bëjnë një konspiracion të hapur, në dritën e diellit, për të destabilizuar një president të zgjedhur në mënyrë legjitime”, tha Rousseff. Në një referim të dukshëm ndaj zëvendësit të saj, Temer, si dhe kreut të Dhomës së Ulët, Eduardo Cunha, ajo i quajti ata “shefin dhe zëvendësshefin” e komplotit.

Presidentja tha se njëri ishte fajtor për “abuzime të paimagjinueshme” në procesin e gjykimit ndaj saj, ndërsa tjetri ishte “duke fërkuar duart nga gëzimi, teksa i rridhte fjalimi përurues”.

“Brazili po jeton në periudha të vështira, – tha ajo. – Periudha komplotesh, farsash dhe tradhtish”.

Top Channel