Boko Haram në krizë, rritet përdorimi i fëmijëve në atentate

12/04/2016 12:35

Aq shumë e ka shtuar Boko Haram përdorimin e fëmijëve-kamikazë, sa vitin e fundit, një në 5 sulme vetëvrasëse të grupit islamik llogaritet të jetë kryer nga një i mitur.

Pas 3/4-tës së sulmeve në fjalë qëndrojnë vajza, të cilat shpeshherë drogohen prej militantëve të Boko Haramit në Kamerun, Nigeri e Çad. Në këto vende, si dhe në Niger – thotë UNICEF, – numri i fëmijëve të marrë forcërisht nga shtëpitë e tyre është 1.3 milionë.

Të dhënat publikohen në përvjetorin e dytë të rrëmbimit të mbi 200 vajzave në qytetin nigerian të Chibokut. Për Manuel Fontaine, drejtori rajonal i UNICEF-it në Afrikën Perëndimore e Qendrore, të miturit e përdorur në sulme kamikaze nuk duhen parë si luftëtarë të vullnetshëm.

“Për të qenë sa më të qartë, në fillim dua të them se këta fëmijë janë viktima, jo autorë krimesh. Mashtrimi i të miturve apo detyrimi i tyre me forcë për të kryer akte vdekjeprurëse është një prej aspekteve më të tmerrshme të dhunës në Nigeri dhe vendet fqinje me të”, tha Manuel Fontaine, UNICEF.

Përdorimi i fëmijëve nga Boko Haram, nga sa pohon Fontaine më tej, ka gjithmonë e më shumë një efekt shoqëror korroziv në këto zona, ku komunitetet kanë nisur t’i shohin si kërcënim e t’i përjashtojnë të abuzuarit nga radhët e tyre.

Reagimi ndërkombëtar ndaj emergjencës në rajon ka qenë tepër i ngadaltë dhe, këtë vit, agjencia e OKB-së për fëmijët nuk ka mbledhur veçse 11% të shumës së nevojitur për financimin e përgjigjes së saj humanitare në Nigeri, Niger, Kamerun dhe Çad.

*
Bëhet fjalë për një 11-fishim të sulmeve, nga 4 që ishin në vitin 2014, në 44 në vitin pasardhës. Ndryshimi i taktikës, sipas ekspertëve, reflekton humbjen e territorit në Nigeri nga Boko Haram. Rebelimi 7-vjeçar, që ka prekur kryesisht verilindjen e Nigerisë, por edhe fqinjët e saj, ka lënë rreth 17 mijë persona të vdekur.

Rrëmbimi i tyre shkaktoi një fushatë globale me thirrjen “Na ktheni vajzat tona”, por deri tani asnjë prej tyre nuk është gjetur. Raporti thotë se, djemtë detyrohen nga militantët të sulmojnë familjen e tyre për të treguar besnikërinë ndaj Boko Haram, ndërsa vajzat bëhen prè e abuzimeve seksuale dhe detyrohen të martohen me luftëtarët.

Top Channel