Bie mbështetja e ISIS nga të rinjtë

12/04/2016 00:00

Mbështetja e rinisë arabe për ISIS-n ka rënë ndjeshëm. Në këtë përfundim ka mbërritur një anketë e “Arab Youth Survey”.

Sipas anketës, pjesa më e madhe e të rinjve në Lindjen e Mesme nuk mbështesin organizatën terroriste dhe besojnë se ajo do të dështojë në ngritjen e një kalifati.

Vetëm 13 përqind e të pyeturve thonë se e imagjinojnë veten në mbështetje të ISIS-it nëse ai nuk do të përdorte këtë valë dhune, nga 19 që ishte vitin e kaluar. 50 përqind mendojnë që problemi më i madh i rajonit është pikërisht ISIS-i, nga 37 përqind që mendonin kështu një vit më parë.

Megjithatë, mungesa e vendeve të punës dhe e programeve për të angazhuar rininë rrezikon që kjo përkrahje për ISIS-in të qëndrojë në këto shifra, citohet “Arab Youth Survey”.

Ky ishte viti i tetë i sondazhit, që synon të japë një pasqyrë të aspiratave të 200 milionë banorëve të rajonit. Këtë vit, vetëm 36 përqind mendojnë se bota arabe është më mirë se më parë, nga 72 përqind që ishte në vitin 2012.

Pjesa më e madhe e të rinjve të pyetur vlerësojnë në këtë moment stabilitetin më të rëndësishëm se demokracia, ndërsa në 2012, 93 përqind e të anketuarve kishin ëndërr më të madhe demokracinë.

Top Channel