Banorët e Tajvanit, Kenia i deporton në Kinë

12/04/2016 00:00

Autoritetet tajvaneze akuzuan Kenian se përdori gazin lotsjellës dhe armët për të detyruar 37 tajvanezë që të hipnin një një avion drejtuar për në Kinë. 8 tajvanezë të tjerë u deportuan në Kinë të hënën, duke shtyrë Tajvanin që të akuzojë Pekinin për rrëmbime jashtëgjyqësore.

Mediat shkruajnë se 37 tajvanezët u ndaluan në Kenia të dyshuar për mashtrim. Pas disa procedurave gjyqësore dhe pasi 15 prej tyre u shpallën të pafajshëm, Kenia, i hipi që të gjithë në një avion dhe i riatdhesoi në Kinë.

Megjithëse Tajvani akuzon Kenain për përdorim dhune, problemi kryesor është se Kenia nuk njeh Tajvanin. Në fakt në një komunikatë zyrtare, autoritetet keniane thanë se të dyshuarit mbërritën në vend nga Kina dhe më pas u riatdhesuan në Kinë.

Kina përgëzoi Kenian për respektimin e politikës një Kinë të vetme, që do të thotë se pavarësisht se Tajvani kërkon pavarësinë, Kina është një dhe s’mund të ndahet. Pekini e konsideron Tajvanin, i cili vetëqeveriset që prej vitit 1950, si një territor “renegad” që duhet bashkuar me Kinën.

Kina ngul këmbë që vendet e tjera në botë s’mund të njohin edhe Kinën, edhe Tajvanin, dhe për këtë arsye, Tajvani ka raporte diplomatike me shumë pak vende.

Sipas analistëve, riatdhesimi i 37 tajvanezëve në Kinë, është një mesazh i qartë një muaj para se Presidentja e re tajvaneze Tsai Ing-wen të marrë detyrën. Ajo vjen nga një parti që favorizon pavarësinë e Tajvanit, por nëse vazhdon të injorojë kërkesat e Kinës, kokëçarje të tilla do të vazhdojnë, madje do të shtohen.

Top Channel