Vrasja e Abaaoud, ja si u gjet ideatori i sulmeve të Parisit

11/04/2016 00:00

Një grua myslimane ndihmoi policinë në gjetjen e Abdelhamid Abaaoud, një prej drejtueseve të celulës terroriste të Parisit. Ishte ajo që konsiderohej si nëna adoptuese e kushërires së terroristit Hasna Ait Boulahcen, e cila i çoi hetuesit në strofullën e fundit të Abaaud, në Saint Denis, të Parisit.

Detajet zbulohen nga “Washington Post” që ka folur me protagonisten dhe ka pasur akses tek dokumentet zyrtare. E martuar dhe rreth të 40-ve, gruaja ka mbajtur për një kohë të gjatë në shtëpinë e saj, Hasna Ait Boulahcen, duke e trajtuar si një vajzë.

Një raport jo shumë i lehtë ky, duke qenë se vajza kishte probleme me drogën dhe largohej shpesh nga shtëpia. Gjithçka ndyshoi në vitin 2014 kur Boulahcen përqafon fenë islame dhe hyn në kontakt me dikë që jeton në Siri, Abaudin. Për të ai nuk është thjesht një kushëri por më shumë mundësi edhe bashkëshorti i ardhshëm.

Dyshja komunikon përmes internetit apo celularit, me Hasnen që nuk është tërësisht e panjohur për policinë, e cila e mban nën vëzhgim. Gjithçka merr një tjetër kthesë pas sulmeve të 13 nëntorit kur dikush në telefon i kërkon të ndihmojë një të afërmin e saj.

Fillimisht refuzon të dëgjojë, por më pas pranon që bashkë me nënën birësuese dhe bashkëshortin e kësaj të fundit të nisen drejt vendit të treguar nga telefonuesi. Udhëzimet e marra nga telefoni e çojnë tek vendi ku ishte fshehur Abaud, të cilin e përqafon e lumtur.

Ai i jep para, i kërkon ti blejë veshje e këpucë dhe i tregon se dhjetëra militantë janë infiltruar në Europë, gati për të sulmuar. Sipas tij, ajo që kishte ndodhur në Bataclan ishte vetëm fillimi, bën të ditur “Washington Post”.

Detajet e zbuluara më tej nga e përditshmja amerikane tregojnë për hezitimin e Abaud për të hyrë në banesën e çiftit ku jetonte edhe kushërira e tij, Hasna. Ai i kërcënon ata të mos flasin, por kjo nuk e ka penguar gruan që një ditë më vonë, kur Hasna nuk ndodhej në shtëpi, të lajmëronte policinë për t’i dhënë informacione të rëndësishme.

Sipas versionit të treguar nga “Washington Post”, në momentin e ndarjes nga ata që i konsideronte si prindër, Hasna u thote atyre se do shkonte në parajsë. Kur e pyeten se ku do të mund ta gjenin u jep adresën e një apartamenti të marrë me qira për 150 euro në lagjen e Saint Denis.

Pas largimit të vajzës me paratë dhe veshjet për Abaud, çifti lajmëron policinë për lëvizjet e saj të fundit. Pak çaste më vonë nis operacioni policor në strofullën e Saint Denis, që përfundoi me vrasjen e ideatorit të masakrës dhe kushërirës së tij, Ait Boulahcen.

Top Channel