Vizitë historike, Kerry në memorialin e Hiroshimës

11/04/2016 09:40

Një vizitë historike është cilësuar ajo e Xhon Kerrit në memorialin e Hiroshimës në Japoni, që përkujton të parat bombardime bërthamore në botë. Ai është Sekretari i parë i Shtetit që viziton Hiroshimën, ku rreth 140 mijë persona u vranë kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës hodhën bombën atomike në vitin 1945.

Kerrit iu bashkuan edhe ministrat e jashtëm të vendeve të G7-s, të cilët po zhvillojnë bisedime në qytet. Ata vendosën kurora lulesh në memorial dhe mbajtën një minutë heshtje. Ministrat vizituan gjithashtu edhe të ashtuquajturën Kubeja e Bombës, mbi të cilën shpërtheu bomba atomike dhe muzeun e afërt të Hiroshimës që tregon historitë personale të atyre që humbën jetën.

Kerri shkruajti në librin e mesazheve se Hiroshima ishte një kujtesë e zymtë dhe e ashpër jo vetëm e detyrimeve për t’i dhënë fund kërcënimit të armëve bërthamore, por edhe për të përqendruar të gjitha përpjekjet në shmangien e luftrave. Në 8 e 10 të orës lokale, në 6 gusht të vitit 1945, bombarduesi US B-29 lëshoi mbi Hiroshimë një bombë me uranium të pagëzuar me emrin “Djali i vogël”. Ajo shpërtheu 600 metra mbi atë që njihet tani si Kubeja e Paqes së Hiroshimës. Rreth 70 mijë persona humbën jetën në vend. Në fund të vitit, bilanci i viktimave arriti në 140 mijë, pasi shumë të tjerë vdiqën si pasojë e plagëve të marra dhe efekteve të rrezatimeve.

3 ditë më vonë një bombë e dytë shënjestroi Nagasakin, duke detyruar Japoninë të dorëzohet. Ky ishte dhe fillimi i fundit të Luftës së Dytë Botërore. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, vizitoi Hiroshimën në vitin 2008, por diplomatët amerikanë kanë evituar vizitat e tyre zyrtare në këtë vend. Shumë besojnë se bombardimet ishin të nevojshme për t’i dhënë fund luftës dhe nuk duan që liderët e tyre të ndërmarrin ndonjë veprim që mund të shihet si shfajësim.

Kerry deklaroi më herët se me vizitën e tij në Hiroshima do të nderonte të rënët, por theksoi se fokusi i udhëtimit të tij do të ishte tek e tashmja dhe e ardhmja.

Top Channel