Atentatori i Brukselit: “Jam unë njeriu me kapele”

09/04/2016 22:15

“Jam unë njeriu me kapele”. Është ky pohimi i Mohamed Abrini i publikuar në mediat belge, të cilat citojnë prokurorin federal që ka marrë në pyetje shtetasin belg me origjinë marokene, i përfshirë në atentatet e nëntorit në Paris dhe ato të marsit në Bruksel.

Abrini ka pranuar se është “njeriu me kapele” që shfaqet në pamjet filmike të kamerave të sigurisë në aeroportin Zaventem e që nga hetuesit belgë është cilësuar si atentatori i tretë.

Sipas burimeve mediatike, Abrini gjatë marrjes në pyetje ka sqaruar se pas arrestimit të Salah Abdeslam dhe atentateve të 22 marsit, celula terroriste kishte në plan të godiste sërish në Paris.

Ai ka thënë më tej se, nuk e çoi në fund planin e tij në aeroportin Zaventem pasi bomba e tij, e fshehur në një valixhe, nuk shpërtheu.

Prokuroria federale ka shtuar se terroristi ka sqaruar se, “e ka hedhur valixhen e tij në një kosh mbeturinash dhe më pas, gjatë arratisë, e ka shitur kapelen”.

Dy kamikazët në aeroportin e kryeqytetit belg ishin Najim Laachraouis dhe Ibrahim el Bakraoui, ndërsa i treti vëllai i këtij të fundit, Khalid el Bakraoui, që u hodh në erë në stacionin e metrosë së lagjes Maelbeek.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel