Tensionohen marrëdhëniet, Roma tërheq ambasadorin nga Kajroja

08/04/2016 00:00

Tensionimi i marrëdhënieve mes Italisë dhe Egjiptit ka arritur kulmin këtë të premte, me qeverinë italiane që ka tërhequr për konsultime ambasadorin e saj në Kajro.

Shkak për komplikimin e situatës është bërë vrasja e studentit italian Giulio Regeni, më herët gjatë vitit në kryeqytetin egjiptian. Regeni, 28 vjeç, po kryente kërkime për temën e diplomës, kur papritur u rrëmbye në mes të rrugës nga një grup personash në bordin e një makine.

Mediat italiane shkruajnë se i riu po mblidhte informacione mbi respektimin e të drejtave të njeriut në Egjipt dhe gjasat janë që ai të jetë ngatërruar nga shërbimet sekrete vendase për një agjent të fshehtë. Kjo ka bërë që mes dy vendeve të mbahen prej muajsh kontakte intensive në përpjekje për të hedhur dritë mbi ngjarjen.

Vendimi i fundit i Romës zyrtare është marrë pasi autoritetet egjiptiane njohën këtë të premte homologët italianë me ecurinë e hetimeve mbi vrasjen, të cilat janë konsideruar të pabesueshme.

Ministri i Jashtëm, Paolo Gentiloni u shpreh përmes një postimi në Twitter: “Italia do vetëm një gjë: të vërtetën për Giulion”.

Regeni u zhduk teksa po shkonte të takonte një kontaktin e tij më 25 janar, ndërsa trupi i tij u gjet i gjymtuar me shenja të dukshme torture më 3 shkurt, në një kanal.

Grupet e të drejtave të njeriut deklarojnë se përgjegjëse janë shërbimet e sigurisë, ndërsa autoritetet egjiptiane pretendojnë se djali u vra nga një bandë kriminale pasi reagoi ndaj një tentative grabitjeje.

Por duke konsideruar torturat, dukshëm të bëra nga profesionistë, autoritetet italiane refuzojnë ta besojnë këtë version dhe në mediat vendase Egjipti është akuzuar se po tallet me Italinë.

Top Channel