Kerry: ISIS i ka ditët e numëruara. Në Irak ka humbur 40% të territorit

08/04/2016 17:10

“ISIS i ka ditët e numëruara”. Optimizmi është shprehur nga sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry gjatë një vizite në Irak.

“Në këtë vend, Shteti Islamik ka humbur 40 për qind të territorit që kishte pushtuar”, ka deklaruar Kerry në një konferencë për shtyp, të transmetuar nga televizioni Al Jazira.

Shefi i diplomacisë amerikane ka kujtuar se, që prej vitit të kaluar, trupat qeveritare irakene i rrëmbyen organizatës terroriste qytetet Tikrit, Sinjar, Ramadi dhe në ditët e fundit, Hitin, në provincën perëndimore të Al Anbarit.

Gjithashtu, “të paktën 100 drejtues të lartë të Kalifatit janë eleminuar, mes të cilëve ministrat e luftës dhe financave”, ka shtuar Kerry.

Ai ka shtuar se, avionët e koalicionit ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA kanë goditur puse nafte që ISIS përdorte për t’u financuar dhe kanë shkatërruar komplekse të ndryshme të përdorura për ruajtjen e parave, 6 prej të cilave vetëm në Mosul.

Kerry ka saktësuar më tej se, në qytezën e Makhmurit po rritet prania e trupave që po bëhen gati për një ofensivë që të çojë në çlirimin e Mosulit.

Top Channel