Skandali offshore, presidenti i Panamasë ngre grup ekspertësh

07/04/2016 14:10

Presidenti i Panamasë njoftoi krijimin e një paneli ekspertësh ndërkombëtarë i cili do të ndihmojë në përmirësimin e transparencës së industrisë offshore të vendit.

Shpërthimi i skandalit të “Mossack Fonseca” i ka shtyrë disa vende të hetojnë mbi krime të mundshme financiare nga persona të pasur e të pushtetshëm dhe nga sa premtoi Juan Carlos Varela, Panamaja do të ofrojë të gjithë bashkëpunimin e saj.

Paneli do të verifikojë, sipas tij, praktikat e punës dhe masat e propozuara që mund të çojnë në forcimin e transparencës së sistemit financiar e atij ligjor.

Presidenti panamez duket i etur ta mbrojë vendin e tij nga sulmet mediatike të shteteve të pasura, që siç shprehet ai, po e stigmatizojnë Panamane pa të drejtë.

Wikileaks ndërkohë ka kritikuar vendimin e konsorciumit ndërkombëtar të gazetarëve për të mos lejuar aksesin publik tek dokumentet që zotëron. Nëse censuron 99% të dokumenteve, thuhet në një mesazh të saj në Twitter, atëherë përcaktohesh si i angazhuar vetëm 1% në gazetari.

ICIJ-ja argumenton megjithatë se të dhënat nuk mund të publikohen online pasi rrezikojnë ekspozimin e informacioneve delikate mbi individë privatë dhe figura publike.

Top Channel