Misisipi, miratohet mes debateve ligji i “lirisë fetare”

07/04/2016 00:00

Guvernatori i Misisipit firmosi një ligj kontradiktor që i lejon bizneset t’i refuzojnë shërbimin çifteve homoseksuale bazuar në besimet fetare. Guvernatori Phil Bryant firmosi ligjin HB1523 pavarësisht kundërshtimit të grupeve për të drejtat e njeriut dhe bizneseve.

Ai tha se ligji mbron besimet fetare dhe bindjet morale. Por protestuesit thonë se ligji legalizon diskriminimin e homoseksualëve. Kjo lëvizje nga shteti i Misisipit vjen ndërsa edhe shtete të tjera amerikane po miratojnë ose konsiderojnë miratimin e ligjeve të tilla.

Disa javë më parë, Karolina e Veriut miratoi një ligj që eliminon mbrojtjen për komunitetin LGBT dhe që i detyron transeksualët të përdorin banjot publike bazuar në gjininë e tyre biologjike. Po së fundmi, Guvernatori i Xhorxhias refuzoi një ligj të ngjashëm pas presionit të madh nga bizneset që punojnë në këtë shtet.

Analistët thonë se shtetet amerikane kanë nisur hartimin e ligjeve për lirinë fetare, kryesisht nën presionin e grupeve fetare, si reagim ndaj vendimit të Gjykatës Supreme që verën e shkuar legalizoi martesat homoseksuale.

Sipas autoriteteve të Misisipit, ligji që mbron lirinë e ndërgjegjes nga aktet diskriminuese të qeverisë, hyri në fuqi për të mbrojtur njerëzit që mendojnë se martesa është një akt vetëm mes një burri dhe një grua, se marrëdhëniet seksuale duhen bërë brenda martesës dhe se gjinia nuk mund të ndryshohet.

Ligji i jep të drejtë kishave, organizatave bamirëse fetare dhe bizneseve private që të mos i ofrojnë shërbim njerëzve, me stilin e jetesës së të cilëve ata nuk bien dakord.

Institucionet shtetërore duhet të vazhdojnë të shërbejnë këdo, por nëpunësit individualë të shtetit mund të përdorin ligjin për të mos i shërbyer homoseksualëve.

Sipas ekspertëve kjo rrjedhimisht bën që edhe autoritetet të diskriminojnë homoseksualët, pasi nëse nëpunësit civilë përdorin ligjin për të mos ofruar shërbime, puna e institucioneve ndalet plotësisht dhe me këtë ligj në fuqi, askush nuk mund të bëjë asgjë.

Top Channel