“Letrat e Panamasë”, Cameron e pranon: Kam pasur aksione te kompania e babait

07/04/2016 00:00

Kryeministri britanik e ka pranuar më në fund se ai, së bashku me bashkëshorten Samantha, zotërorin aksione në një trust “offshore” të ngritur nga babai i tij i ndjerë, përpara se t’i shisnin ato për 30 mijë paund në vitin 2010. Këtë deklaratë, ai e ka bërë teksa është pyetur mbi kompaninë “Blairmore Holdings”, e ngritur në parajsa fiskale nga babai i tij Ian.

Në intervistën e dhënë për “ITV News”, ai tha se “nuk ka asgjë për të fshehur” dhe se kishte paguar të gjitha taksat në Britani për shkak të përfitimeve të siguruara prej shitjes së aksioneve të asaj kompanie.

Ndërkohë, kundërshtarët e tij laburistë deklaruan menjëherë se, kryeministri britanik është detyruar të bëjë këtë “pranim të jashtëzakonshëm”. E nga sa bën të ditur BBC, David Cameron pritet të publikojë faturat e tij tatimore me shumë mundësi nga java e ardhshme.

Dokumentet e rrjedhura prej firmës ligjore “Mossack Fonseca” në Panama zbuluan se Ian Cameron ishte klient i kësaj firme dhe se kishte përdorur një nga mjetet më të fshehta, edhe pse të ligjshme, të ngritjes së një kompanie “offshore”, pasi kishte ndihmuar të ngrinte një fond për investitorët. Ai ka qenë drejtor i “Blairmore Holdings Inc”, e cila në vitin 2006 kishte përdorur mjete të ndryshme për të mbrojtur privatësinë e klientëve të saj.

Të mërkurën, “Doëning Street” lëshoi një deklaratë, ku thuhej se Cameron, bashkëshortja e tij dhe fëmijët nuk kanë përfituar nga fonde “offshore”, vetëm një ditë të mbushur me pyetje pa fund nga mediat, nëse familja e tij kishte pasur interesa apo jo në kompaninë e të atit.

Të enjten, Cameron tha për “ITV News”:

“Nuk kam asgjë për të fshehur. Jam krenar për babain tim dhe atë çfarë ka bërë ai, por edhe për bizneset e ngritura prej tij. Nuk mund të duroj që emri i tij të zvarritet e të baltoset”.

Kryeministri britanik shtoi se “këto ditët e fundit kanë qenë të vështira, duke parë kritikat ndaj babait të tij dhe praktikave që kanë ndjekur bizneset e tij”. “Babai im, një njeri që e kam dashur shumë dhe e kam admiruar shumë, e që më mungon çdo ditë e më shumë”.

Cameron tha se shumica e kritikave ka qenë e bazuar mbi “keqkuptime themelore”, se kompania “Blairmore Investment” ishte ngritur me qëllim për të shmangur taksat. “Nuk ka qenë kështu. Ajo është ngritur pasi janë ushtruar kontrollet, në mënyrë që njerëzit që donin të investonin në dollarë të shprehura në aksione, sikurse edhe kompani të tjera, ta bënin këtë. Ka edhe shumë e shumë të tjera, mijëra truste të tjera të ngritura në këtë mënyrë”, tha ai.

Kryeministri britanik shtoi se ai ishte “audituar në mënyrën e duhur” dhe se kishte raportuar për të ardhurat e tij çdo vit. Kushdo që ka blerë njësi në atë kompani ka qenë subjekt i tatimit mbi fitimet kapitale, kur aksionet janë shitur, shtoi më tej ai.

Në fund ai deklaroi se, si djali i një aksionisti kishte trashëguar aksione në të kaluarën, por që i kishte shitur në vitin 2010, vetëm pak përpara se të bëhej kryeministër. “Nuk doja që dikush të më thoshte se, unë kisha të tjera axhenda apo interesa personale”, tha ai. “Samantha dhe unë kemi pasur një llogari të përbashkët, teksa zotëronim edhe 5000 njësi në trustin e babait tim, të cilat i kemi shitur në janar të 2010-s, në vlerën e rreth 30 mijë paundëve”.

Top Channel