Konspiracion mbi “Panamanë”, pse nuk ka amerikanë?

07/04/2016 16:00

Megaskandalin e “Panama Papers” e rrethuan që në fillim disa hije dyshimi. Gazetarët e “Suddeutsche Zeitung”, atë që vishen sot me meritën e zbulimit të aferës, i kontaktoi një vit më parë një burim anonim.

Sipas disave, ky kontakt ka qenë një ish-punonjës i firmës ligjore; sipas të tjerëve, ndonjë haker apo ndoshta edhe ndonjë personazh shërbimesh sekrete.

Ky burim iu dorëzoi praktikisht në një tabaka të argjendtë të gjithë arkivin dixhital të “Mossack Fonseca”. Dokumenta të kriptuara në dhjetëra vite ekzistence të studios ligjore.

“Vështirë të besosh që 11.5 milionë dosje të jenë vjedhur nga një person i vetëm”, thotë gazetari italian Giampolo Rossi.

Por është dhe diçka tjetër që bën përshtypje. Rrjedhja më e madhe e informacioneve në histori nuk evidenton veçse shumë pak emra amerikanësh.

Ndoshta me kalimin e kohës dhe filtrimin e dokumenteve të tjera, një proces ky në vazhdim, mund të identifikohen edhe të tjerë individë të përfshirë në Shtetet e Bashkuara.

Ekspertët përpiqen t’i japin fenomenit një shpjegim: amerikanët, që duan të shmangin taksat, mbase preferojnë parajsa fiskale të tjera, apo dhe shtete amerikane ku rregullat janë goxha më elastike.

Një arsye tjetër mund të jetë fakti që ligjet e rrepta në Shtetet e Bashkuara ua bëjnë më të vështirë evazionin qytetarëve amerikanë.

Megjithatë, në disa shtete si Delauer, Nevada dhe Uajoming ka lehtësira të mëdha për koorporatat të cilat arrijnë të krijojnë aty “kompani guackë” me qëllim që të shmangin taksat e larta të shteteve të tyre.

Nga këto rregulla duket se kanë përfituar edhe mjaft kompani të huaja. Kritikët thonë se të tilla manovra janë përgjëgjese për transformimin e Delauerit në një variant “onshore” të parajsës së famshme fiskale, ishujt Kajman.

Top Channel