Konsiderata e BE-së: Viza për shtetasit amerikanë dhe kanadezë

07/04/2016 00:00

Ekzekutivi i Bashkimit Europian ka marrë në konsideratë mundësinë e detyrimit të shtetasve amerikanë dhe atyre kanadezë të aplikojnë për viza, përpara se të udhëtojnë drejt bllokut europian, një lëvizje kjo që mund të rrisë tensionet në momentin që Brukseli negocion paktin e tregtisë me Uashingtonin.

Vetëm Britania dhe Irlanda bëjnë përjashtim nga politika e përbashkët e vizave të 28 kombeve të BE-së, ndërkohë që Komisioni Europian pritet të vendosë deri më 12 prill nëse do të kërkojë vizat ndaj vendeve që kanë kërkesa të ngjashme në fuqi ndaj një apo më shumë shtete të BE-së.

Uashingtoni dhe Otava kërkojnë pajisjen e shtetasve rumunë dhe bullgarë me viza, pavarësisht se këto dy shtete i janë bashkuar BE-së që prej vitit 2007. Shtetet e Bashkuara përjashtojnë gjithashtu kroatët, qipriotët dhe polakët, nga skema e lëvizjes së lirë që u ka ofruar qytetarëve të tjerë të BE-së.

“Nevojitet padyshim një debat politik dhe një vendim politik, mbi një çështje kaq shumë të rëndësishme. Por, ekziston me të vërtetë rreziku, që BE-ja të shkojë drejt vendosjes së vizave për amerikanët dhe kanadezët”, tha një burim nga BE për “Reuters”.

Gjithsesi, ende nuk dihet nëse një hap i tillë do të jetë praktik, duke parë se kjo gjë do të minonte seriozisht industrinë e gjerë dhe fitimprurëse të turizmit në Europë.

Misioni amerikan në Bruksel nënvizoi se, çdo propozim nga Komisioni Europian për të rifutur kërkesat për viza në fuqi, me suhmë mundësi do të përmbyset nga Parlamenti Europian apo Këshilli Europian, dy institucione që mbledhin bashkë të 28 krerët e BE-së për të diskutuar mbi politikën e jashtme, mes shumë çështjesh të tjera. Ndërkaq, përfaqësia diplomatike e Kanadasë ende nuk ka dhënë ndonjë koment.

Top Channel