Turqi, Erdogan: Nuk na duhen terroristët, t’u hiqet nënshtetësia

06/04/2016 00:00

Qeveria franceze e provoi por nuk ia doli dot, në atë që Turqia tashmë e ka publikuar si nismën e saj më të fundit. Në një konferencë për mediat, Presidenti Recep Tayyip Erdogan deklaroi se Turqia duhet të konsiderojë heqjen e nënshtetësisë për mbështetësit e terrorizmit.

“Qeveria nuk ka asgjë për të diskutuar me terroristët. Këta njerëz nuk meritojnë të jenë qytetarët tanë. Ne nuk jemi të detyruar që të mbajmë askënd, që angazhohet në tradhtimin e shtetit dhe popullit”, deklaroi Erdogan.

Ai përjashtoi gjithashtu çdo mundësi bisedimesh për paqen me Partinë e jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), madje u zotua se do t’i japë fund konfliktit në Juglindje të vendit njëherë e përgjithmonë.

Kjo zonë e Turqisë, e banuar kryesisht nga kurdët, po pëson dhunën më të ashpër në dy dekada, pas rrëzimit të armëpushimit, për të cilin u ra dakord në vitin 2013. Erdogan tha se, 355 anëtarë të forcave të sigurisë dhe më shumë se 5.000 anëtarë të PKK-së ishin vrarë në luftime.

Muajin e kaluar, Erdogan kërkoi që përcaktimi i terrorizmit të zgjerohej edhe në profesione të tjera, si gazetarët apo aktivistët që përdorin pozicionin për llogari të terroristëve. Analistët thonë se, sulmet e fundit terroriste në Turqi, që janë marrë përsipër nga kurdët, po i japin mundësinë Erdoganit të marrë edhe më shumë fuqi, jo gjithnjë duke respektuar liritë e individit dhe të drejtat bazë, për t’i luftuar ata.

Top Channel