Studimi: 10 për qind e shpenzimeve ushtarake do të zhduknin varfërinë në botë

06/04/2016 18:35

Në vitin 2015, shpenzimet ushtarake botërore janë rritur me 1 për qind, duke përbërë rritjen e parë vjetore në 4 vitet e fundit.

Kështu thotë raporti i Institutit Ndërkombëtar të Paqes në Stokholm, sipas të cilit 10 për qind e këtyre shpenzimeve mund të mbulojnë kostot e objektivave globalë që kanë si synim dhënien fund të varfërisë dhe urisë brenda vitit 2030.

INPS ka llogaritur se vitin e kaluar, shpenzimet ushtarake në nivel botëror kanë qenë të barabarta me 1.676 miliardë dollarë.

Pjesën e luanit të këtyre shpenzimeve e mbajnë Shtetet e Bashkuara, edhe pse shkurtimi me 2.4 për qind e ka çuar totalin e shpenzimeve ushtarake në 596 miliardë dollarë.

Kina është vendi i dytë në klasifikim, për të dytin vit rresht, me një rritje prej 7.4 për qind që e çon në një total prej 251 miliardësh, ndërkohë që Arabia Saudite ka kaluar Rusinë, duke u renditur e treta, ndërsa Mbretëria e Bashkuar e pesta.

Sipas INPS, shpenzimet ushtarake përbëjnë 2.3 për qind të produktit të brendshëm bruto në rang botëror dhe vetëm 10 për qind e kësaj shume do të mjaftonte për të financuar objektivin e zhvillimit të miratuar në shtator nga 193 vendet e Kombeve të Bashkuara për t’i dhënë fund varfërisë pas 14 vjetësh.

“Kjo llogaritje mund t’u japë njerëzve idenë e kostos së mundësive që pengohen nga shpenzimet ushtarake globale”, ka deklaruar Sam Perlo Freeman, drejtues i projektit për shpenzimet ushtarake të INPS.

Top Channel