Skandali në Islandë, kryeministri fshehu kompaninë në Panama. U prek nga kriza

06/04/2016 00:00

U desh vetëm një ditë protestash dhe presioni mjaftoi për ta detyruar kryeministrin e Islandës të jepte dorëheqjen përkundër dëshirës së vet, duke u kthyer kështu në viktimën e parë të rëndësishme politike të “Panama Papers”.

Zyrtarë në çdo cep të botës, nga Europa në Azi, po ndiejnë tokën t’iu lëkundet nën këmbë, sidomos në Britani, ku kryeministri David Cameron e portretizonte veten si kampion të transparencës, ndërsa tani përballet me informacionet e dosjeve të “Mossack Fonseca”-s, që dëshmojnë se territore të tëra të qeverisura prej Londrës janë parajsa të pasurive të fshehura, përfshirë ato të vet babait të tij.

Sigmundur Gunnlaugsson këmbënguli të qëndronte në krye të ekzekutivit, edhe pasi dokumentet e rëna në duart e medias tregonin sesi kishte ngritur bashkë me të shoqen një kompani “offshore” në ishujt Virxhin, përmes studios ligjore panameze.

Gjysmën e kompanisë, ai ia kishte shitur asaj për 1 dollar në ditët e fundit të 2009-s, pak përpara se të hynte në fuqi një ligj i ri, i cili e detyronte atë si anëtar të Parlamentit, ta deklaronte këtë pronësi si “konflikt interesi”.

Por kompania “Wintris Inc” humbi miliona dollarë prej krizës financiare të 2008-s, që gjunjëzoi Islandën, dhe kishte investuar në 3 bankat e mëdha të vendit, që shkuan në prag falimentimi. Prej tyre, kompania pretendonte të rimerrte 4,2 milionë dollarë.

Duke qenë kryeministër i vendit që prej 2013-s, Gunnlaugsson u përfshi në përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje me kreditorët e huaj të bankave në fjalë. Ata që kërkonin paratë e tyre mbrapsht, kryeministri i përshkroi si “zogj grabitqarë”, duke “harruar” këtu t’i përmendte publikut se një prej këtyre hutave ishte vet “Wintris”-i, çfarë e vendoste atë në konflikt të hapur interesi.

Top Channel