KE, propozime të reja për azilin. Shkak kriza e refugjatëve

06/04/2016 00:00

Në kuadër të krizës së emigrantëve, Komisioni Europian pritet që të zbulojë opsione të reja për reforma, për mënyrën sesi vendet e BE-së përballen me kërkesat për azil. Kjo lëvizje bëhet pjesërisht si reagim ndaj vështirësive, me të cilat janë përballur Greqia dhe Italia, si pasojë e fluksit të emigrantëve që vijnë nga Lindja e Mesme dhe Afrika.

Analistët thonë se, sipas sistemit aktual që njihet si “rregullorja e Dublinit, vendet e BE-së kanë të drejtën që të kthejnë azilkërkuesit në shtetin e parë të unionit, ku ata kanë hyrë. Sipas tyre, defektet e këtij sistemi u shfaqën më së miri nga fluksi i madh i emigrantëve.

Pritet që Komisioni Europian të sugjerojë një ndryshim modest, që të ruajë sistemin aktual, por të shtojë një masë ndershmërie, sipas së cilës vendet që përballen me më shumë emigrantë të marrin ndihmë.

Një opsion i dytë, më radikal, do të ishte eliminimi i rregullave aktuale dhe shprëndarja e emigrantëve në Europë. Por shumë vende të BE-së e kanë bërë të qartë që duan të ruajnë sistemin aktual, që i lejon t’i kthejnë mbrapsht emigrantët në vendin e parë ku kanë hyrë në BE, duke i lënë problemet jashtë kufirit.

Ndërkohë, mësohet se Greqia ka pezulluar kthimin e emigrantëve në Turqi, një ditë pas nisjes së tij. Qindra emigrantë të tjerë pritet që të kthehen në Turqi gjatë javës, por refugjatët vazhdojnë të mbërrijnë në Greqi me ritme shumë më të larta sesa ato të largimit.

Analistët thonë se, ndërsa plani i BE-së për largimin e emigrantëve nga Greqia po duket një dështim i madh, zor se propozimet e Komisionit Europian do të sjellin ndonjë ndryshim. Duket se, në fund, secili vend i BE-së do të përballet me krizën në mënyrë të njëanshme, gjë që ka nisur të ndodhë tashmë.

Top Channel