Kaosi në Libi, OKB përpiqet të rikthejë rendin. Dorëhiqet qeveria islamike

06/04/2016 00:00

Një prej dy qeverive rivale në Libi lajmëroi se po tërhiqet nga pozicioni i saj. Ky ndryshim radikal vjen pas mbërritjes në Tripoli të një qeverie uniteti kombëtar të mbështetur nga OKB-ja.

Pak ditë më vonë, administrata islamike në Tripoli tha se po tërhiqet nga pushteti për të shmangur gjakderdhje të mëtejshme. Që prej vitit 2014, Libia ka pasur dy qeveri rivale, një në Tripoli që mbështetej nga milicitë, dhe një tjetër në qytetin portual të Tobrukut. Kjo e fundit, ende kundërshton qeverinë e unitetit të mbështetur nga OKB-ja.

“Ne ju informojmë se po ndalim punën si fuqi ekzekutive, si Presidencë, si anëtarë të Parlamentit dhe ministra të Qeverisë”, shkruhej në komunikatën e administratës islamike, që kishte vulën e qeverisë, por asnjë nënshkrim ministri apo zyrtari tjetër.

OBK shpreson se qeveria e unitetit do të rivendosë rendin dhe sundimin e ligjit, në Libinë e përçarë nga luftimet mes fraksioneve të ndryshme. Por, ende nuk është e qartë sesi administrata e re do të vendosë autoritetin e saj, pasi është e sigurtë që do të përballet me kundërshtim në zona të tjera të vendit.

Shqetësim kryesor janë një pjesë e milicive, që nuk janë dakord me qeverinë e re dhe që duan të ruajnë autoritetin e tyre në zonat që kontrollojnë. Analistët thonë se, tërheqja e qeverisë islamike është një hap pozitiv, por nuk zgjidh telashet e Libisë, e cila që pas revolucionit të vitit 2011, që solli rrëzimin e diktatorit Muammar Gaddafi, ka qenë e zhytur në kaos për shkak të luftimeve mes grupeve të ndryshme.

Top Channel