Holandë, referendum për traktatin me Ukrainën. Shihet si test për BE-në

06/04/2016 00:00

Është konsideruar si testim për referendumin britanik, ai që po zhvillohet në Holandë, ku votuesve u është kërkuar që të mbështesin ose jo traktatin europian që thellon raportet me Ukrainën. Traktati politik, tregtar dhe i mbrojtes është pjesërisht në punë, por duhet që të ratifikohet nga 28 anëtarët e BE-së që të ketë forcë të plotë ligjore, ndërsa Holanda është vendi i vetëm që nuk e ka bërë këtë.

Është e qartë se, referendumi holandez kërkon të zbulojë ndjesinë e vendit për Brukselit, pasi cilido qoftë rezultati i tij, nuk është detyrues për qeverinë holandeze. Publikisht, qeveria e kryeministrit Mark Rute ka mbështetur traktatin europian me Ukrainën dhe, nëse populli voton kundër tij, nuk është e detyruar që t’i bindet.

Por, ekspertët thonë se vota “Jo” do të ishte shumë e vështirë të injorohej nga qeveria, ndërsa zgjedhjet e përgjithshme janë më pak se një vit larg. Mediat thonë se, shumë holandezë mendojnë që janë vendosur para dy zgjedhjeve aspak tërheqëse. Mbështetja e traktatit me Ukrainën do të thotë se, ata mbështesin planet ëndërrimtare të burokratëve në Bruksel, ndërsa refuzmi i traktatit ndihmon Rusinë, të cilën ata e fajësonë për rrëzimin e avionit MH17 në korrik të 2014-s, që u kushtoi jetën thuasje 200 qytetarëve holandezë.

Sondazhet tregojnë se, holandezët do të refuzojnë traktatin me Ukrainën, por vendimtar do të jetë pjesëmarrja në votim. Rastin, sigurisht s’mund ta humbiste politikani radikal Gert Wilders, i cili tha se vota “Jo” do të kishte një efekt te vendet e tjera të BE-së, pasi Holanda është vendi i vetëm në union që u ofroi qytetarëve të saj të shprehin mendimin për këtë traktat.

Top Channel