Gjenerali britanik: NATO duhet të japë kontribut kundër ekstremizmit

06/04/2016 00:00

NATO mund të bëjë më shumë për të mbështetur vendet me programe kundër radikalizimit, i tha BBC-së përfaqësuesi më i lartë i Britanisë në aleancën ushtarake.

Gjenerali Adrian Bradshaw ndan bindjen se, duhen promovuar strategji të suksesshme, të cilat t’i ndjekin dhe vendet e tjera. Për ilustrim, ai shpjegoi sesi Jordania është duke trajnuar imamë për praktimin e një forme tradicionale tolerante të Islamit, nismë kjo – sipas tij, – me potencial pozitiv të madh.

“Një prej mënyrave në veçanti është se, ne si NATO mund të ndihmojmë të tërhiqet vëmendja te problemi dhe nevoja për aktivitete plotësuese. Mund të bëhet shumë më tepër për t’i mbështetur vendet që përpiqen ta luftojne radikalizimin. Dua ta vë theksin sidomos te programi i sponsorizuar nga Mbreti Abdullah i Jordanisë, për promovimin e një forme më tolerante të Islamit, një formë tradicionale kjo e gjendur në vendet e Ballkanit. Duke vepruar kështu do të reduktohej mundësia për radikalizimin e popullatës”, tha gjeneral Adrian Bradshaw, i cili mban edhe titullin “Sir”.

Për zëvendëskomandantin suprem të NATO-s në Europë, lufta kundër ekstremizmit islamik ka shumë fytyra. Besoj se është përgjegjësia jonë – shtoi ai, – që të sigurohemi se njerëzit do të arrijnë ta kuptojnë çfarë lloj aktivitetesh të tjera shtesë duhen zhvilluar, në krah të atyre të sigurisë, ku ne jemi të përfshirë drejtpërdrejtë.

Top Channel