Super trafikanti aziatik i armëve ekstradohet në SHBA

05/04/2016 08:55

Një shtetas nga Singapori është ekstraduar në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me akuza për eksport ilegal të teknologjive ushtarake amerikane, të përdorura në përgatitjen e mjeteve shpërthyese në Irak.

Lim Yong Nam akuzohet se ka dërguar mijëra pjesë përbërëse të radiove në Iran, duke shkelur kështu embargon e vendosur. Më pas, nga Irani këto pjesë këmbimi u dërgoheshin milicive shiite në Irak.

Lim, i njohur ndryshe edhe si Steven Lim, ndodhet në gjendje burgimi në Indonezi prej 18 muajsh. Ai u akuzua në vitin 2010 për kontrabandë dhe deklarata të rreme.

Ai vetë është deklaruar i pafajshëm për akuzat e ngritura nga gjykata e Uashingtonit. Lim u ka deklaruar zyrtarëve amerikane se nuk ishte në dijeni të kufizimeve amerikane për eksportet drejt Iranit.

Por Shtetet e Bashkuara deklarojnë se 16 pjesë këmbimi radiosh u gjetën brenda disa mjeteve shpërthyese të improvizuara në Irak, të cilat kanë shkaktuar edhe vdekjen e ushtarëve amerikanë që shërbejnë atje.

Lim, 42 vjeç, si dhe shumë të pandehur të tjerë akuzohen se kanë blerë mijëra module frekuencash radiofonike nga një kompani anonime në Minesota dhe se kanë gënjyer qeverinë amerikane duke deklaruar se Singapori ishte destinacioni i këtyre pajisjeve.

Në akuzën e ngritur, mjetet shpërthyese të improvizuara përbëjnë kërcënimin më të madh për trupat amerikane në Irak dhe janë përgjegjëse për 60 për qind të humbjeve në radhët e ushtrisë amerikane në këtë vend në periudhën 2001-2007.

Top Channel