“Panamaja” trondit Islandën. Kryeministri s’jep dorëheqjen. Nisin protestat

05/04/2016 11:15

Kryeministri i Islandës po u reziston thirrjeve për dorëheqje që shpërthyen pas ekspozimit të dokumenteve të “Mossack Fonseca”, ku figuronte dhe emri i Sigmundur David Gunnlaugsson.

Turma njerëzish u mblodhën të hënën përpara ndërtesës së Parlamentit duke kërkuar largimin e kreut të ekzekutivit me akuzën se ka fshehur investimet në një kompani offshore.

Gunnlaugsson nuk pranon të lërë postin edhe pse rrjedhja gjigande e informacioneve të firmës ligjore panameze nxorri në pah detaje mbi kompaninë “Wintris”, që është në pronësi të së shoqes.

Kur hyri në Parlament në 2009-n, kreu i ekzekutivit nuk e kishte deklaruar interesin e tij mbi këtë kompani. Partitë opozitare tani po planifikojnë një mocion mosbesimi për shefin e qeverisë, që vazhdon të këmbëngulë se nuk është shkelur asnjë rregull dhe se bashkëshortja e tij nuk ka përfituar financiarisht.

Gunnlaugsson ia shiti për 1 dollar të shoqes 50% të aksioneve të “Wintris”, ndërkohë që ajo zotëronte 50 përqindëshin tjetër dhe kjo vetëm 8 muaj pas hyrjes në Parlament.

Çfarë po ndodh në vende të tjera?

Shtetet e Bashkuara – Departamenti i Drejtësisë tha se po studion informacionet nga 107 agjenci informative dhe organizata mbi dokumentat e kompanisë “Mossack Fonseca”.

Britania e Madhe – Publikimi i dosjeve udhëhiqet nga The Guardian dhe BBC. Që të dyja kanë raportuar për një bankier britanik, që jeton prej dekadash në Korenë e Veriut. Ai ka hapur një kompani financiare “offshore” sekrete, e cila besohet se është përdorur nga regjimi i Penianit për të shitur armë dhe për të financuar programin bërthamor të vendit komunist. Dhjetra donatorë, deputetë dhe financiarë që mbështetën ardhjen në pushtet të Cameron kanë lidhje me rrjetin e “parajsave fiskale”.

Rusi – Moska mohoi përfshirjen e Vladimir Putin në këto skema. Zëdhënësi i Kremlinit, Dimitry Peskov e cilësoi aferën “një lojë që konfirmon nivelin e lartë Putinofobisë jashtë kufijve ruse”.

Ukrainë – Deputetët e parlamentit po kërkojnë me ngul nisjen e hetimeve për presidentin Petro Poroshenko, emri i të cilit ka dalë në “Dosjen Panama”.

Kompania “Mossack Fonseca” – Nuk komenton raste të veçanta dhe këmbëngul se është një aktore e përgjegjshme e komunitetit financiar dhe sipërmarrës global dhe se nuk ka shkelur asnjë ligj.

Top Channel