Nagorni-Karabak, vazhdojnë luftimet në rajon

05/04/2016 00:00

Përleshje të reja janë zhvilluar mes forcave azere dhe atyre armene, edhe pasi Azerbajxhani tentoi që të shpallte një armëpushim të njëanshëm me shpresën për t’i dhënë fund dhunës që deri tani i ka kushtuar jetën 30 ushtarëve nga të dyja palët.

Shpërthimi i dhunës, më i rëndi në 20 vitet e fundit për rajonin e Nagorni-Karabakut, ka tensionuar diplomatët nga Brukseli në Uashington, ku janë të larta shqetësimet se përfshirja e Moskës dhe Ankarasë në rajon mund t’i ketë hapur rrugë një vale të re armiqësish.

Rajoni separatist i Nagorni-Karabakut që gjendet brenda Azerbajxhanit, është drejtuar nga ushtria armene dhe milicitë e armenëve etnikë që prej luftës mes dy vendeve që u ndal me armëpushimin e vitit 1994.

Që prej këtij viti në fakt lufta ka qenë e ngrirë jo e ndaluar dhe vitet e fundit tensioni është rritur gjithnjë e më shumë, diçka që rezultoi në përleshjet më të fundit dhe që ekspertët thonë se mund të përkeqësohet në një luftë të vërtetë.

Pasi pretenduan se morën disa pika strategjike brenda territorit të kontrolluar nga armenët, zyrtarët azerë u duk se u tërhoqën për shkak të presionit ndërkombëtar dhe shpallën armëpushimin e njëanshëm.

Por përleshjet nuk kanë ndalur dhe të dyja palët akuzojnë njëra tjetrën për të shtënën e parë. Azerbajxhani mbështetet fuqishëm nga Turqia, ndërsa Armenia nga Rusia dhe ekspertët druhen se dy fuqitë e mëdha ushtarake mund të përdorin dy vendet e vogla për t’u përballur sërish, sidomos pas tensionit të raporteve për shkak të rrëzimit të avionit rus nga Turqia në nëntor të vitit të shkuar.

Top Channel