“Letrat e Panamasë”, kryeministri i Islandës bëhet “kurbani” i parë

05/04/2016 00:00

Kryeministri islandez është kthyer në “kurbanin” e parë të të ashtuquajturave “letra të Panamasë”, të cilat kanë kthyer në qendër të vëmendjes, në mënyrë të turpshme, botën e financave e veçanërisht parajsat fiskale.

Sipas raportimeve të para nga vendi ishullor mësohet se ministri i Agrikulturës mund të marrë postin e kryeministrit, pas dorëheqjes së Sigmundur Gunnlaugsson, i cili më herët i kishte kërkuar Presidentit Olafur Ragnar Grimsson shpërndarjen e Parlamentit, por ky i fundit kishte refuzuar me argumentin se duhej të fliste me partitë politike fillimisht.

“Nuk mendoj se është normale, që kryeministrit si person i vetëm, t’i jepej autoriteti për të shpërndarë Parlamentin pa rënë dakord shumica parlamentare me këtë vendim”, tha presidenti islandez për reporterët e interesuar. Disa prej vëzhguesve e përshkruan refuzimin ndaj kërkesës së kryeministrit si tejet të jashtëzakonshme.

Kryeministri i Islandës akuzohet se ka fshehur investime në vlerën e miliona dollarëve në një kompani “offshore”. Kryeministri Sigmundur Gunnlaugsson u përball menjëherë me reagimin mbarëpopullor, për shkak të dokumenteve që tregojnë se ai dhe bashkëshortja e tij zotëronin firmën “Wintris” në Panama. Një protestë masive u zhvillua përpara Parlamentit islandez ditën e hënë.

Dhjetëra figura të profilit të lartë botëror janë përmendur në atë që konsiderohet si “rrjedhja më masive” e informacioneve financiare nga një kompani ligjore panameze “Mossack Fonseca”.

Reagimi i sotëm i Gunnlaugsson erdhi pasi opozita propozoi një mocion mosbesimi ndaj tij. Pasi refuzoi të dorëhiqej të hënën, kryeministri u vu nën një presion të madh edhe nga koalicioni i vet qeverisës. Ndaj dhe zgjodhi të shfrytëzonte rrjetin social Facebook, këtë të martë, për të bërë të ditur pozicionin e tij të ri.

“I kam thënë kreut të Partisë së Pavarësisë se, nëse deputetët e saj mendojnë se nuk mund të vazhdojnë të mbështesin qeverinë në përmbushjen e objektivave të përbashkëta, atëherë unë do të shpërndaja Parlamentin dhe do të bëja thirrje për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme”, shkroi ai.

Sipas “letrave të Panamasë”, të rrjedhura prej “Mossack Fonseca”, Gunnlaugsson dhe bashkëshortja e tij e blenë kompaninë “Wintris” në vitin 2007. Megjithatë, kur ai u bë pjesë e Parlamentit në vitin 2009 nuk deklaroi interesat e tij në këtë kompani. Ai shiti 50% të aksioneve të tij te kompania “Wintris” te bashkëshortja, Anna Sigurlaug Palsdottir, vetëm 8 muaj më pas dhe në vlerën e një dollari. Sipas kryeministrit islandez, asnjë ligj nuk është shkelur me këtë veprim, ndërsa bashkëshortja e tij nuk ka përfituar financiarisht.

Top Channel