Kritikat ndaj “Air France”, kompania: Do ta zgjidhim

05/04/2016 00:00

Kompania “Air France” po përballet me reagime mjaft të ashpra pasi udhëzoi femrat e stafit të saj që të veshin pantallona, xhaketa të gjerë dhe të vendosin shall në kokë, pasi të mbërrijnë Teheran.

Përfaqësues të stafit akuzuan kompaninë, e cila do të rinisë fluturimet drejt Iranit këtë muaj, se po detyron anëtaret femra të stafit që të veshin rroba që janë një shenjë fetare dhe kjo shkon kundër ligjit francez.

Drejtuesit e sindikatës thanë se ky urdhër i kompanisë përbën një shkelje të lirive individuale. Por, sipas “Air France”, këto rregulla s’janë asgjë e re, pasi janë praktikuar edhe gjatë ndalesave në Arabinë Saudite, ku anëtarët femra të stafit mbulojnë trupin e tyre.

Madje kompania tha se edhe linja te tjera ajrore bëjnë të njëjtën gjë, pasi ligji i Republikës Islamike thotë se të gjitha femrat që janë në territorin e saj duhet të mbulojnë kokën.

Por këshilla e “Air France” për veshjen e dërguar me një lajmërim të brendshëm tek stafi, u prit me shumë kundërshtime. Sindikata thotë se merr çdo ditë telefonata nga anëtaret femra të stafit që nuk duan të ndjekin këto urdhra që janë një ofendim ndaj dinjitetit të tyre.

Sindikata gjithashtu tha se kompania ka lënë të kuptohet se do të marrë masa administrative ndaj atyre që nuk binden.

Mirëpo, drejtori i burimeve njerëzore të “Air France”, Gilles Gateau, ka thënë se askush nuk do të dënohet dhe se kompania do të gjejë një zgjidhje për këtë rast.

Ai tha se nëse anëtaret femra të stafit nuk duan për arsye personale të respektojnë këto rregulla, atëherë do të caktohen në ndonjë linjë tjetër.

Top Channel