Shkon në 1450 numri i viktimave nga tërmetet në Venezuelë, 50 mijë të tjerë ende të zhdukur Afera nuk ka shumë që doli në dritë dhe e ka që tani një emër: 11 milionë dokumentet sekrete të nxjerra prej studios ligjore “Mossack Fonseca” njihen tashmë si “Panama Papers”. Sasia e informacionit është e madhe dhe publikut, të dhënat po i kalojnë pjesë-pjesë.
Mediat në mbarë botën janë vënë në lëvizje e kanë nisur kërkimet për njerëzit e vendit të tyre. Disa emra personash të rëndësishëm udhëheqësish kanë filluar të dalin në dritë, por emrat e përfshirë në këtë rrjet gjigant parash janë me qindra, e lista zgjatet nga ora në orë.
Afera e Panamasë përfshin njerëz të rrethit të ngushtë të Vladimir Putinit, politikanë mes të cilëve edhe britanikë, miliarderë, e madje edhe sportistë të famshëm.
Rrjedhja më e madhe e dokumenteve në botën e financës ka nxjerrë në pah fillimisht emrat e disa familjarëve të Presidentit kinez, Xi Jinping, të Mbretit saudit Salman, Presidentit argjentinas Mauricio Macri, Presidentit ukrainas Petro Poroshenko, ish-udhëheqësit libjan Muammar Gaddafi, ish-presidentit egjiptjan Hosni Mubarak, të afërm të kreut të shtetit sirian, Bashar al-Assad, babait të ndjerë të kryeministrit britanik David Cameron, kryeministrin e Pakistanit Nawaz Sharif apo bankës ruse “Rossiya”, e cila është subjekt sanksionesh të SHBA-ve dhe BE-së që prej aneksimit të Krimesë, si dhe njërit prej miqve më të ngushtë të Putinit, violinçelistit Sergei Roldugin, i cili është nun i vajzës së Presidentit rus, Maria.
Kjo rrjedhje masive informacionesh konfidenciale, e kthyer në dëshminë e qartë të mënyrës sesi i përdorin të pasurit dhe të pushtetshmit parajsat fiskale për të fshehur pasurinë e vet, u zbulua më së pari nga gazeta gjermane “Suddeutsche Zeitung”, e cila pas kësaj ia vuri dokumentet në dispozicion të ashtuquajturit konsorcium ndërkombëtar i gazetarëve investigativë.
Plot 400 reporterë në 80 vende të botës u angazhuan për zbardhjen e tyre. Përmasat e skandalit, që prek drejtpërdrejt lëvizjet financiare të disa prej personave më të fuqishëm të globit, janë të tilla që kapërcejnë edhe furtunën e shkaktuar prej kabllogramëve të famshëm të “Wikileaks”.
Top Channel