Shpërthen skandali “offshore”, 11 milionë dokumente denoncojnë parajsën fiskale

03/04/2016 00:00

Një rrjedhje masive informacionesh konfidenciale është kthyer në dëshminë e qartë të mënyrës sesi i përdorin të pasurit dhe të pushtetshmit parajsat fiskale për të fshehur pasurinë e vet.

Rreth 11 milionë dokumente të njërës prej kompanive më hermetike të botës, firmës ligjore panameze “Mossack Fonseca”, kanë përfunduar në duart e medias. Ato tregojnë sesi i ka ndihmuar firma klientët e saj të pastrojnë parà, t’u rrëshqasin sanksioneve e të shmangin taksat.

Drejtuesit e kompanisë pretendojnë se, organizmi ka funksionuar pa asnjë të sharë për 40 vite rresht e nuk është akuzuar kurrë për shkelje penale. Dokumentet nxjerrin në dritë një aferë, që përfshin mbi 72 ish-presidentë apo edhe udhëheqës aktualë, siç është kryeministri i Islandës, Sigmundur Gunnlaugson, që rezulton të mos ketë deklaruar interesin mbi asetet e së shoqes, e tani përballet me thirrjet për dorëheqje.

Dokumentet përfshijnë gjithashtu një rrjet miliarda dollarësh pastrimi parash, ku bëjnë pjesë edhe bashkëpunëtorë të ngushtë të shefit të Kremlinit, Vladimir Putin.

“Dokumentet mbulojnë biznesin e përditshëm të ‘Mossack Fonseca’-s përgjatë 40 viteve të fundit. Mendoj se kjo rrjedhje gjigante informacioni, në fund do të rezultojë grushti më i madh, që bota e kompanive ‘offshore’ ka marrë ndonjëherë. E kjo, pikërisht për shkak të masivitetit të dokumenteve të zbuluara”, tha Gerard Ryle, drejtor i “International Consortium of Investigative Journalists” apo “ICIJ”.

Ishte gazeta gjermane “Suddeutsche Zeitung”, ajo që i zbuloi dokumentet e para, e pas kësaj ia vuri në dispozicion të ashtuquajturit “Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigativë”. 400 reporterë në 80 vende të botës u angazhuan për zbardhjen e tyre.

Dosjet vijnë nga baza e të dhënave të “Mossack Fonseca”-s, kompania e katërt më e madhe “offshore” e botës. Përmasat e skandalit, që prek drejtpërdrejt lëvizjet financiare të disa prej personave më të fuqishëm të globit, janë të tilla që kapërcejnë edhe furtunën e shkaktuar prej kabllogrameve të famshme të “Wikileaks”.

Top Channel