Lufta kundër terrorizmit, De Kerchove: Shtetet e BE-së të bëjnë më shumë

01/04/2016 00:00

Shtetet e BE-së duhet ta luftojnë së bashku terrorin. Këtë e kërkon prej vitesh i ngarkuari i BE-së kundër terrorit, Gilles de Kerchove, i cili në një intervistë për “Deutsche Welle”-n flet për sfidat e bashkëpunimit europian. I pyetur se ç’mund të bëhet për ta përmirësuar atë, ai thotë se një rrugë do të ishte publikimi i informacioneve.

“Shpresoj që disa shtete të kuptojnë se duhet të bëjnë më shumë. Përparime ka, le të marrim për shembull numrin e njoftimeve alarmuese të shërbimeve sekrete, që futen në Sistemin e Informimit të ‘Schengen’-it (SIS). Muajt e fundit aty ju do të gjeni më vetëm 1.000, por 8.000 emra të të ashtuquajturve ‘rrezikues’”, thotë ai, duke shtuar se sfida e vërtetë është reagimi shumë i shpejtë.

Sipas të ngarkuarit të BE-së kundër terrorit, në kufijtë e jashtëm të “Schengen”-it duhet vepruar më shumë, në mënyrë sistematike, e për këtë nevojiten rregullore juridike e infrastrukturë. “Të gjithë ishujt në Greqi duhet të lidhen me sistemin e informimit të ‘Schengen’-it për të shkëmbyer informacionet”, thotë ai.

Sa i përket rastit të Belgjikës dhe kritikave në adresë të autoriteteve të këtij vendi për dështimin në parandalimin e sulmeve, De Kerchove deklaroi se, ky nuk është një rast i veçantë dhe se lagje si Molenbeeku ka edhe në Francë, por mund të ndodhë edhe në Gjermani, apo në Britaninë e Madhe.

Sipas tij, rreziku nga Shteti Islamik nuk do të marrë fund me intensifikimin e sulmeve kundër tij në Siri dhe Irak. “Sa më shumë presion ushtarak të ndiejë ISIS, aq më shumë do të përpiqen të zhvillojnë sulme terroriste në Perëndim”, pohon ai.

“Organizata terroriste kërkon të tregojë suksese, por nga ana ushtarake tani është në mbrojtje. Kjo do të thotë se, luftëtarët që kanë shkuar nga Europa në radhët e ISIS mund të kthehen në Europë më parë nga ç’e kemi pritur ne”, përfundon zyrtari i lartë i BE-së, që paralajmëron se kërcënimi për kontinentin e vjetër mbetet shumë i lartë.

Top Channel