Trump: Ndëshkim grave që i nënshtrohen abortit

30/03/2016 22:25

Kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka bërë thirrje për “forma ndëshkimi” për gratë që kryejnë abortin, nëse kjo praktikë cilësohet ilegale.

Sidoqoftë, kryesuesi i kandidatëve republikanë nuk zbuloi se në çfarë formash mund të kryhen ndëshkimet për të cilat foli, gjatë një takimi të realizuar nga një rrjet kabllor. Zoti Trump mbështet ndalimin e abortit, por duke lejuar disa përjashtime.

Kjo praktikë është ligjore në Shtetet e Bashkuara që prej vitit 1973, me vendim të Gjykatës Supreme. Dikur demokrat, miliarderi amerikan është kritikuar për mbështetjen e të drejtave të abortit në të kaluarën.

Liderët republikanë kanë shprehur shqetësimin e tyre për prespektivat e Trump në zgjedhjet e përgjithshme, pasi sondazhet tregojnë se biznesmeni nga Nju Jorku gëzon fare pak popullaritet në radhët e elektoratit femëror.

Nga ana tjetër, kryesuesja e kandidatëve demokratë, Hillary Clinton ka qenë një kritike e flaktë e qëndrimeve të Trump sa u takon çështjeve të grave.

Aktivistët e anti-abortit tradicionalisht kanë shmangur fajësimin e grave që i nënshtrohen kësaj praktike, por janë fokusuar kryesisht tek ata që performojnë këtë procedurë.

Top Channel