Pengmarrja e avionit në Qipro, autori mbante brez eksplozivi të rremë

30/03/2016 00:00

Njeriu që detyroi avionin e “EgyptAir” të bënte një ditë më parë ulje të detyruar në Qipro mbante në trup një brez eksplozivi të rremë. Edhe pse arsyet e gjestit të tij ekstrem ende nuk janë zbardhur krejtësisht, tashmë është e qartë se incidenti nuk ka lidhje me terrorizmin.

Pamjet e bëra publike nga Ministria e Brendshme egjiptjane e tregojnë personin që shkaktoi aq pështjellim të martën, duke kaluar përmes disa kordonësh sigurue në Aeroportin “Borg El Arab” të Aleksandrisë.

Drama e pengmarrjes përfundoi me dorëzimin e Seif El Din Mustafa dhe lirimin e të gjithë pasagjerëve, pa asnjë lëndim në Aeroportin e Larnakas.

Mustafain, zyrtarët qipriotë e përshkruan si “psikologjikisht të paqëndrueshëm”, ndërsa disa kolegë të tyre egjiptjanë u treguan edhe më të ashpër, kur thanë se rrëmbyesi nuk ishte terrorist, por thjesht një idiot.

Ai fillimisht kishte kërkuar të fliste me ish-bashkëshorten e vet qipriote, të cilën policia ia kishte dërguar në aeroport, pohoi ministri i Jashtëm i Qipros, Ioannis Kasoulides.Pas kësaj duket ka nisur të parashtrojë një sërë kërkesash të tjera të palogjikshme.

Mustafa doli sot përpara një gjykate një Larnaka, ndërsa avioni i rrëmbyer prej tij u nis mbrëmjen e djeshme drejt Kajros, që ishte dhe destinacioni i tij fillestar.

Edhe pse situata e krijuar, barti në vetvete më shumë shqetësim sesa rrezik real, ai përbën një goditje për autoritetet egjiptjane, të cilat këmbëngulnin se, masat e sigurisë në aeroporte janë përforcuar ndjeshëm pas shpërthimit të avionit rus mbi gadishullin e Sinait në muajin tetor.

Por siç e tregojnë vet pamjet filmike, Mustafai kaloi pa probleme dy kontrolle sigurie e asgjë e dyshimtë nuk rezultoi, as nga verifikimi i çantës së tij.

Top Channel