Gjenevë, nis konferenca mbi refugjatët sirianë. Synohet zgjidhja e risistemimit

30/03/2016 00:00

Agjencia e OKB-së për Refugjatët ka bërë të ditur se, 10 për qind e 4.8 milionë refugjatëve sirianë duhet të risistemohen, një deklaratë kjo në prag të një konference të nivelit të lartë në Gjenevë, në fokusin e së cilës do të jetë shpërndarja e refugjatëve sirianë.

Gjatë së mërkurës, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, i cili çeli punimet e konferencës bashkë me Komsionerin e Lartë për Refugjatët, Filipo Grandi, tha se ishin mbledhur për të adresuar krizën më të madhe të refugjatëve dhe të të shpërngulurve në histori. Ai u kërkoi vendeve të tregojnë solidaritet dhe të pranojnë gati gjysmë milioni refugjatë deri në 2018-n.

“Kërkoj që vendet të veprojnë me solidaritet në emër të vlerave të përbashkëta njerëzore, duke krijuar mundësi të reja për pranimin e refugjatëve sirianë. Këtu mund të përfshihen strehimet për shkaqe humanitare, bashkime familjare, ashtu si dhe mundësi punësimi apo studimi”, tha Ban Ki-moon.

Konferenca e së mërkurës synon të nxisë përkrahjen për programet e risistemimit dhe të mundësojë zgjidhje të reja, për të ndihmuar vendet kufitare të prekura nga vala e madhe e emigracionit, e nxitur nga konfikti sirian.

“Refugjatët që largohen prej luftës dhe dhunës, duke mbërritur në Europë mbajnë me vete një mesazh të rëndësishëm; adresimi i kësaj krize nuk mund të jetë vetëm një detyrë e vendeve apo komuniteteve pranë luftrave. Është një përgjegjësi globale, që duhet të ndahet mes të gjithëve, derisa paqja të mbizotërojë sërish”, tha Filipo Grandi.

Në Europë, çështja e risistemimit të refugjatëve është mjaft komplekse dhe ka çuar drejt një ngërçi politik mes Brukselit dhe disa shteteve anëtare, përfshirë Hungarinë, Poloninë, Sllovakinë dhe Republikën Çeke. Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Emigracionin, më shumë se një milion emigrantë kanë mbërritur në Europë në 2015-n, shumica e të cilëve në përpjekjen për t’i shpëtuar konflikteve në Siri, Irak e Afganistan.

Top Channel