Shefi i CIA-s, bisedime në Moskë për fatin e presidentit Assad

29/03/2016 16:10

Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës e ngriti çështjen e presidentit sirian Bashar al Assad dhe mundësinë e largimit të tij nga pushteti kur vizitoi Moskën në fillim të marsit.

Lajmin e bën të ditur agjencia e lajmeve “RIA”, që citon burime pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Rusi. Drejtori John Brennan, sipas të njëjtës agjenci, diskutoi edhe lidhur mbi ecurinë e armëpushimit në Siri.

Ndërkohë, agjencia tjetër ruse e lajmeve, “Interfax” citoi zv.ministrin e Jashtëm rus, Oleg Syromolotov të thoshte se, Brennan ishte takuar edhe me shefin e FSB-së, ndërsa mohoi që vizita e tij të ketë qenë e lidhur me vendimin e Moskës për të tërhequr trupat nga Siria.

Dean Boyd, zëdhënës i CIA-s, konfirmoi ndërkohë për agjencinë “Reuters” vizitën e shefit të tij në Moskë në fillim të muajit dhe se çështjet siriane ishin pjesë e axhendës së bisedimeve.

“Synimi i vizitës së Brennan ishte të theksonte me palën ruse rëndësinë që Moska dhe regjimi i Assad të ndjekin marrëveshjet e arritura me qëllim dhënien fund të akteve luftarake në Siri”, njoftoi CIA përmes një deklarate për shtyp.

Gjithashtu, Brennan u konfirmoi zyrtarëve rusë mbështetjen amerikane për një tranzicion politik të shëndetshëm në Siri, “që do të përfshinte largimin e Assad dhe respektimin e vullnetit të popullit sirian”.

Rrallë herë CIA konfirmon publikisht vizitat e shefit të saj ose temat e axhendës së tij me zyrtarët e huaj. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha të hënën se gjatë vizitës së tij Brennan nuk kishte patur kontakte me zyrtarë të Kremlinit.

Top Channel