Ndihmësi i Trump akuzohet për sulm fizik

29/03/2016 00:00

Corey Lewandowski, manaxheri i fushatës elektorale të Donald Trump, u padit për sulm ndaj një gazetari gjatë një mitingu. Autoritetet amerikane bëjnë me dije se Lewandowski është paditur me nivelin më të ulët të sulmit fizik ndaj reporteres Michelle Fields.

Më 8 mars, pas një konference për shtyp në Florida, ai akuzohet se e kapi gazetaren me forcë nga krahu dhe e lëndoi, ndërsa ajo tentonte të bënte një pyetje.

Zyrtarë të fushatës së Trump thanë se Lewandowski do të vetdeklarohet i pafajshëm në gjyq, ndërsa atij nuk i ka munguar mbështetja e Donald Trump.

Policia e zonës Jupiter në Florida, ku Lewandowski u arrestua, publikoi pamjet e incidentit, ku shfaqet ai duke e larguar reporteren nga Donald Trump. Ky i fundit tha se Lewandowski nuk është absolutisht fajtor.

Në një postim në “Twitter”, Trump shkruan se pas verifikimit të videso është e qartë se nuk ka ndodhur asgjë. Sidoqoftë, akuza e ndaj kreut të fushatës, vjen në një moment të vështirë për Trumpin, para zgjedhjeve në Uiskonins, ku ai përballet mjaft fort me senatorin Ted Cruz.

Trump kryeson garën republikane me 739 delegatë ndaj 465 të Cruz. Për të marrë emërimin e partisë për kandidaturën presidenciale duhen 1237 delegatë.

Top Channel