Merr fund pengmarrja e avionit në Qipro, arrestohet egjiptiani

29/03/2016 08:35

Ka përfunduar me prangosjen e pengmarrësit, drama e avionit të “EgyptAir” e konsumuar mëngjesin e sotëm në Aeroportin e Larnakas në Qipro, ku “Airbusi A320” bëri ulje të detyruar.

Ministria e Jashtme qipriote konfirmoi përmes Twitterit se, incidenti ka përfunduar dhe njeriu që shkaktoi të gjithë këtë pështjellim, tashmë është në duart e autoriteteve. Ai është identifikuar si Seif El Din Mustafa.

Disa raporte thonë se, ai kërkonte të fliste me ish-bashkëshorten e tij qipriote dhe vet Presidenti i Qipros, Nicos Anastasiades deklaroi shumë shpejt se, nuk bëhej fjalë për një akt terrorist. Të tjerë, megjithatë, pretendojnë se burri kishte kërkuar lirimin e grave të burgosura në Egjipt.

Shumica e 81 personave në bord u liruan nga pengmarrësi pak orë pas ngjarjes, ndërsa 7 vetë mbetën aty deri në fund. Ministri egjiptjan i Aviacionit Civil, Sherif Fathy tha se, dy prej pengjeve të fundit ishin pilotët, një stjuardesë, një oficer sigurie dhe 3 pasagjerë, kombësinë e të cilëve nuk e bëri publike.

Edhe pse në disa media, gjestin e Mustafait e përshkruajnë thjesht si veprim të një njeriu të palogjikshëm, për Fathyn ai përbën shqetësim, pasi dëshmon shkelje të sigurisë.

“Në këto momente flitet shumë për procedurat e sigurisë në Aeroportin e ‘Borg al-Arabit’ apo atë të Aleksandrisë. Ne nuk e dimë sesi kaloi, çfarë pajisjesh kishte me vete, nuk dimë as nëse ishin të vërteta apo të rreme, por realiteti është ai i një rrëmbyesi në bord, çfarë e bën situatën serioze”, tha Sherif Fathy, ministër i Aviacionit Civil, Egjipt.

Avion me 81 persona në bord ishte nisur në një fluturim të brendshëm nga Aleksandria drejt Kajros. Fillimisht u tha se fluturimi “MS181” u devijua prej një pasagjeri, që deklaronte se mbante në trup një brez me eksplozivë. Në mesin e pasagjerëve në bord kishte 8 amerikanë, 4 britanikë, 4 holandezë, dy belgë dhe një italiane.

Në deklaratën e Ministrisë egjiptjane të Aviacionit Civil thuhet se, piloti ua ka bërë me dije pasagjerëve, që dikush në atë fluturim kishte lëndë shpërthyese dhe se, e kishte detyruar ta ulte mjetin në Larnaka. Aeroporti në bregun jugor të Qipros është mbyllur dhe të gjitha fluturimet e atjeshme janë devijuar.

Top Channel