“Erdowie, Erdowo, Erdogan” revolton Presidentin e Turqisë, thirret ambasadori gjerman

29/03/2016 00:00

Kënga tallëse e njëkohësisht kritike për Presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, e transmetuar nga televizioni publik gjerman “NDR”, ishte arsyeja e thirrjes së ambasadorit gjerman në Ankara, Martin Erdmann për sqarime.

Episodi daton më 22 mars, por në media, lajmi është bërë i ditur vetëm tani, falë informacioneve të siguruara nga “Spiegel Online”.

Videoja muzikore me titull “Erdowie, Erdowo, Erdogan” vendos pamjet e kreut të shtetit turk në krah të filmimeve që tregojnë dhunimin e protestuesve nga policia. Teksti fshikullon darën e autoriteve turke mbi mediat, duke thënë se: kur një gazetar shkruan diçka, që Erdoganit nuk i vjen për shtat, ditën tjetër përfundon në burg.

Programi “Extra3” i “NDR”-së e ka kritikuar udhëheqësin turk edhe në të kaluarën. Në 2014-n, ai transmetoi një tjetër këngë për Erdoganin, ku ndërthureshin pamjet e forcave të sigurisë duke rrahur demonstruesit, me tubimet e partisë “AKP” të Presidentit dhe protestat kundër shënjestrimit të gazetarëve opozitarë turq.

Pavarësisht shtypjes që Erdogani po u bën disidentëve dhe reporterëve, gjatë vizitës së saj në Ankara në muajin tetor, Kancelarja gjermane shprehu mbështetjen e Berlinit për rifillimin e negociatave të aderimit të Turqisë në BE.

Në fillim të këtij muaji, nga ana tjetër, u përfundua marrëveshja BE-Turqi, që synon frenimin e fluksit të emigrantëve nga Turqia në detin Egje, në këmbim të çeljes së një kapitulli të ri në procesin e anëtarësimit, liberalizimit të vizave, si dhe 3 miliardë eurove ndihmë për Turqinë.

Top Channel