Belgjikë, lirohet gazetari i dyshuar për përfshirje në sulmet terroriste

29/03/2016 00:00

Personi i njohur si Faycal C, i vetmi individ i arrestuar e paditur për përfshirje në sulmet e Brukselit, u la i lirë nga autoritetet belge për mungesë provash.

Mediat vendase zhurmojnë prej ditësh për faktin se, i porsaliruari dyshohej fort të ishte njeriu i tretë misterioz me kapele, në pamjet filmike të 3 agresorëve të aeroportit. Por, një gjykatës doli në përfundimin se, nuk ka prova të mjaftueshme për ta mbajtur atë në qeli.

Aktpadia ndaj Faycal C. për “pjesëmarrje në aktivitete terroriste” u ngrit vetëm dy ditë më parë. Shtypi belg pretendon se, pavarësisht lirimit, akuzat ndaj tij do të vazhdojnë të mbeten në fuqi.

Televizioni publik belg dhe e përditshmja “Le Soir” e identifikojnë personin në fjalë si gazetarin “freelance” Faycal Cheffou. Ndërkohë, 35 është tanimë bilanci i vdekjeve nga sulmet e së martës në kryeqytetin belg, të marra përsipër nga Shteti Islamik. Prej tyre, 7 ende nuk janë identifikuar, ndërsa të paktën 12 nga të vdekurit ishin shtetas të huaj: nga Amerika, Holanda, Suedia, Gjermania, Franca, Britania, Italia dhe Kina.

Shifra e dhënë për jetët e humbura nuk përfshin ato të 3 kamikazëve që hodhën veten në erë, dy në aeroport dhe një në metro. Institucionet e BE-së në Bruksel do të rihapen pas pushimeve të Pashkëve me masa sigurie të përforcuara ndjeshëm, njoftoi përmes Twitterit zëvendëspresidentja e Komisionit Europian, Kristalina Georgieva.

Top Channel