Rruga e re drejt Gjermanisë, trafikantët bëjnë gati “flotën” e Mesdheut

28/03/2016 12:55

Trafikantët e njerëzve po përgatiten për një rrugë të re të nisjes së emigrantëve drejt Europës, thotë “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

Qëllimi i kontrabanditësve, sipas gazetës gjermane, është që javën e parë të prillit të nisë transportimi i refugjatëve nga Turqia në Itali nëpërmjet lundrimit.

Ata duket se kanë ndërmend të përdorin anije të vogla mallrash dhe peshkarexha për t’i marrë emigrantët nga Antalja dhe qyteti i Mersinit.

Çmimi për një udhëtim, gjithmonë sipas gazetës në fjalë, luhatet tek 3.000 dhe 5.000 euro, çka e bën më të shtrenjtë sesa rrugëtimin e zakonshem nga brigjet turke drejt ishujve greke.

Trafikantët po i përgjigjen në këtë mënyrë rritjes së kërkesës për mënyra alternative kalimi në Europë pas mbylljes së rrugës ballkanike dhe farkëtimit të marrëveshjes BE-Ankara, që dikton kthimin mbrapsht të azilërkuesve të paligjshëm, duke e ngadalësuar shumë fluksin e të mbërriturve.

Disa prej kontrabandistëve duket se do të ofrojnë dy udhëtime në javë dhe të paktën njëri prej tyre pretendon se mund të transportojë 200 vetë me një anije të vogël.

Emigrantët janë këshilluar të qëndrojnë poshtë kuvertës derisa mjetet lundruese të mbërrijnë në ujërat ndërkombëtare.

Përpos emigrantëve në Turqi e Greqi, sipas zyrtarëve europianë janë edhe me mijëra vetë që presin të kalojnë në Itali nga Libia. Ministria e Brendshme italiane ka regjistruar thuajse 14.000 të ardhur vetëm gjatë këtij viti.

Top Channel