Gjuetia e terroristëve, BE kërkon “skuadrën” e falsifikatorëve të pasaportave

28/03/2016 13:05

Policia belge publikoi pamjet filmike të 3 atentatorëve në Aeroportin e Brukselit, ndërsa vazhdon përpjekjet për identifikimin e personit me kapele, bomba e të cilit shpërtheu. Hetuesit nuk kanë bërë ende asnjë koment mbi raportet e medias belge, se personi në fjalë është Faycal Cheffou, gazetari “Freelance” i arrestuar ditën e enjte.

Një deklaratë e Prokurorisë të shtunën sqaronte vetëm se, ndaj një individi – për të cilin u tha vetëm se quhet Faycal C, – është ngritur aktakuzë për pjesëmarrje në aktivitete terroriste, për “vrasje” dhe “tentativë vrasjeje” me sfond terrorist.

Qendra belge e krizave, ndërkohë, e ndryshoi bilancin e viktimave nga sulmet e së martës. Ndër të shtruarit në spital, 4 persona ndërruan jetë për shkak të plagëve të marra, e tani numri i të vdekurve nga shpërthimet në Aerportin e Zaventemit dhe metronë e Maalbeekut shkon në 35.

Tri vetë u akuzuan sot në Belgjikë për pjesëmarrje në një grup terrorist. Pas ngjarjeve të Brukselit, autoritetet europiane të sigurisë e kanë intensifikuar që të gjitha punën për gjetjen e personave të lidhur me atentatorët.

Kërkohen së paku 8 të dyshuar, si terroristë e falsifikues pasaportash. Gazeta gjermane “Welt am Sonntag” raporton se, ndihmësit islamistë të këtyre njerëzve, ose qëndrojnë të fshehur diku në Europë, ose janë në Siri.

Duke iu referuar rezultateve të para të hetimit nga Franca dhe Belgjika, “Welt am Sonntag” shkruan se kreu i dyshuar i celulave terroriste të ISIS-it në kontinentin e vjetër ishte algjeriani Mohamed Belkaid, i vrarë së fundmi gjatë një aksioni të policisë belge. Mësohet se bashkë me prodhuesin e bombave, Najim Laachraoui, veprimtarinë e celulave të terrorit në atentatet e Parisit, ai e ka koordinuar nga Belgjika përmes telefonit.

Në vëmendje janë personat e kontaktit të kreut logjistik të atentateve të Parisit, Abdelhamid Abaaoud, si dhe të bashkëpunëtorit të tij të kapur në Belgjikë, Salah Abdeslam. Ndalimi më i fundit ishte ai i një 32-vjeçari francez, të prangosur në Holandë e të akuzuar se po planifikonte sulme në Francë.

Në Itali, nga ana tjetër, policia prangosi 40-vjeçarin algjerian, Djamal Eddine Quali, pjesëtar i një bande falsifikuesish të pasaportave, që ka qenë në kontakt me terroristët. Banda në fjalë mendohet të ketë përgatitur edhe pasaportat e rreme të përdorura në sulmet e Francës dhe Belgjikës.

Top Channel