Pavarësisht mungesës së entuziazmit të kritikës, vetëm gjatë 5 ditë shfaqjeje në kinematë botërore, “Batman v Superman” theu rekordin e shitjes së biletave në një lançim, duke kapur shifrën e 424 milionë dollarëve, 170 milionë nga të cilat në Amerikë.

Pjesën më të madhe të shumës, prodhimi i “Warner Bros.” e regjistroi në 65 tregje të huaja. Filmi, që ka për protagonistë aktorë të njohur si Ben Affleck, Henry Caville apo Amy Adams, i vë përballë njëri-tjetrit dy superheronjtë legjendarë amerikanë.

Gara e tyre për të treguar se cili është më i domosdoshëm për botën lihet mënjanë, kur shfaqet në horizont një armik i përbashkët, të cilin duhet ta luftojnë.

Ndërsa publiku nuk ankohet, gjatësia e filmit prej dy orësh e gjysmë ishte një nga arsyet e pakënaqësisë së kritikëve. “Film i bukur për sytë, por i dëmshëm për trurin dhe zemrën”, shkruan Scott Mendelson i “the Forbes”.

Për “Entertainment Weekly”, filmi është goxha i ngarkuar, ndërsa Robbie Collin i “Daily Telegraph” thotë se, nuk ka parë prej vitesh realizim më pak të strukturuar sesa ky.

* Ia ka dalë të rrëmbejë vëmendjen e audiencës, siç ndodh me çdo seri të re të tij, që ka në qendër superheronj të tillë.

Këtë herë nuk është një, por dy superheronjtë më të njohur amerikanë: Batman dhe Superman vijnë përballë njëri-tjetrit në serinë e shumëpritur “Batman vs Superman: Dawn of Justice”.

Jehona e premierës së shfaqur fillimisht në Amerikë, e më pas në të gjithë Europën, është shoqëruar me komente pozitive, të cilat janë reflektuar në shifra për producentët e filmit. Duke arkëtuar më shumë 424 milionë dollarë, “Batman vs Superman” pozicionohet mjaft mirë duke u renditur i katërti në historinë e klasifikimeve kinematografike, sa i takon shitjes së biletave.

Triumfi i filmit i dedikohet jo vetëm subjektit të tij, i cili sjell lojën e dy superheronjve në përpjekje të shpëtojnë botën nga kërcënimi i radhës, por edhe lojës së aktorit protagonist Ben Affleck. Gjatë një intervistë në premierën e filmit Affleck ka rrëfyer se është habitur jo pak, kur regjisori i filmit i propozoi rolin e protagonistit.

Përballë tij Zack Snyder ka vënë aktorin Henry Cavill në rolin e Supermanit, ndërsa kundrapeshën e dy superheronjve e mban aktorja Amy Adams.

Jehona e superfilmit ka mbërritur edhe në vendin tonë. Aktualisht Batman Vs Superman po shfaqet në të gjithë rrjetin e kinemave “Imperial”.

Top Channel