Trump “rrëfen” politikën e jashtme

27/03/2016 00:00

Pretendenti kryesor republikan për nominimin presidencial, Donald Trump, thotë se do të marrë në konsideratë ndalimin e të gjitha blerjeve amerikane të naftës nga Arabia Saudite apo vende të tjera arabe, nëse qeveria saudite nuk do të ofrojë trupa për të luftuar Shtetin Islamik.

Trump i bëri këto komente në një intervistë të gjatë mbi politikën e jashtme, dhënë “New York Times”. Ai po ashtu tha se SHBA duhet të rimbursohet nga vendet të cilave u ofron mbrojtje, përfshirë edhe ato me pasuri të shumta si Arabia Saudite.

“Nëse Arabia Saudite nuk do të kishte mbrojtjen amerikane, nuk mendoj se do të ekzistonte”, thotë ai. Si pjesë e politikës së tij të jashtme, të etiketuar si
“America First”, Trump tha edhe se do të mund të merrte në konsideratë mundësinë që të lejoheshin Japonia dhe Koreja e Jugut që të ndërtonin arsenalet e tyre bërthamore dhe jo të vareshin nga SHBA për mbrojtje nga Koreja e Veriut dhe Kina.

Trump insiston se nuk është pro izolimit por thekson se Amerika është nëpërkëmbur, mashtruar dhe zhvatur, për shumë vite, nga njerëz të zgjuar, mendjemprehtë dhe të fortë.

“Ne jemi të mashtruarit e mëdhenj por nuk jemi udhëhequr me mençuri. Në mënyrë sistematike ne jemi zhvatur nga të gjithë”, thotë ai. Trump citoi borxhin e Amerikës që së shpejti do të shkojë në 21 trilionë dollarë dhe e lidhi atë me faktin se SHBA mbron botën. “Pavarësisht se për kë bëhet fjalë, ne i mbrojmë të gjithë”, vijoi ai.

Ai përmendi edhe NATO-n duke e quajtur atë të vjetëruar, pasi kërcënimi kryesor ndërkombëtar tani është terrorizmi. “NATO është diçka që në kohën e krijimit ishte e jashtëzakonshme. Sot, ajo duhet të ndryshojë”, tha Trump duke shtuar se SHBA mban pjesën më të madhe të kostove të NATO-s.

Pothuajse i njëjti këndvështrim edhe për financimin e OKB-së nga ana e Shteteve të Bashkuara. “Ne nuk marrim asgjë nga OKB. Ato nuk na respektojnë, nuk bëjnë çfarë duam ne, ndërkohë që ne i financojmë në mënyrë jo proporcionale”, u shpreh republikani.

Intervista e dhënë me telefon, ishte diskutimi më i thellë i deritanishëm mbi politikën e jashtme për Trump, që ka kaluar të gjithë karrierën e tij në fushën e biznesit.

Top Channel