Presidencialet në SHBA, Sanders triumfon në Uashington dhe dy shtete

27/03/2016 00:00

Bernie Sanders ka triumfuar ndaj Hillary Clintonit në të tri shtetet, ku demokratët votuan të shtunën në lidhje me cilin kandidat do të nominojnë në zgjedhjet presidenciale të 8 nëntorit në SHBA.

Fitorja më e madhe mund të konsiderohet ajo në shtetin e Uashingtonit, por Sandersa korri sukses edhe në Alaska dhe Hauai, duke i dhënë një shtysë të fortë fushatës së tij. Edhe pse numërimet nuk kanë përfunduar tërësisht, projektohet që ai të ketë marrë më shumë se 70% të votave në të trija shtetet.

Sanders falënderoi mbështetësit e tij dhe tha se “fushata personale po arrin kulmin”, megjithatë përpara tij gjendet sërish një “mal” i madh për t’u ngjitur, në mënyrë që të tejkalojë ish-Sekretaren e Shtetit, Clinton.

Përpara garës së të shtunës, ish-Zonja e Parë amerikane udhëhiqte ndaj Sandersit me 1223 delegatë kundrejt 920. Ndërkohë që kur u përfshinë edhe votat e superdelegatëve, siç quhet zyrtarët e partisë që dalin në mbështetje të njërit prej kandidatëve, Clinton shkoi në 1692 vota kundrejt 949 të Sanders, teksa objektivi mbetet të arrihen 2383 delegatë.

Uashingtoni ishte më domethënësi mes të tri shteteve që votuan të shtunën, me plot 101 delegatë për t’u siguruar. Ndërkohë që në Alaska diskutohej për 16 delegatë dhe për 25 të tjerë në Hauai.

Aktualisht Sanders projektohet të ketë fituar 72% të votave në Uashington, ndërsa Clinton 27%; në Alaska përqindjet janë 79 me 21, ndërsa në Hauai flitet për rreth 70% mbështetje në favor të senatorit nga Vermonti.

Sanders e kaloi këtë javë duke bërë fushatë në brigjet perëndimore, e duke siguruar mbështetje mes liberalëve dhe krahut të majtë. Ai u përpoq të rritej edhe më tepër, pas fitoreve bindëse të së martës së kaluar në Idaho dhe Utah. Megjithatë, ai u mposht në Arizona dhe, pavarësisht këtyre fitoreve, ai sërish ka dështuar të ngushtojë bindshëm diferencën me Clintonin.

Top Channel