Kapet terroristi falsifikues, policia belge akuzohet për neglizhencë

27/03/2016 00:00

Rrënjët e lidhjeve të  terroristëve të Brukselit, duket se kanë qenë edhe më të thella sesa arrestimet e fundit në Belgjike, Francë apo Gjermani.

Policia italiane ka arrestuar një shtetas  algjerian, me dyshimin se ai ka prodhuar dokumentet false për militantët e ISIS. Ndërsa, policia belge thotë se e ka arrestuar terroristin e shpallur në kërkim nga aeroporti i Zaventem, i njohur si “djali me kapele”.

Autoritetet po hetojnë për Faycal  Cheffou, i cili e përshkruan veten si gazetar i pavarur. Ai ankohej për kushtet e azilantëve në Bruksel dhe i nxiste ata për t’u radikalizuar në shenjë revolte.

Kritikave për punën e dobët të organeve belge të rendit u shtohet edhe fakti që nuk i kanë dhënë rëndësi të dhënave të dërguara nga antiterrori grek një vit më parë për veprimtarinë e terroristit Abdelhamid Abaaud.

Ai ishte arrestuar njëherë nga policia greke, por me kërkesën e Belgjikës ai është lënë sërish i lirë.

Disa javë më vonë kur Brukseli zbuloi lidhjet e tij terroriste, kërkoi arrestimin e Abaaud, por ishte shumë vonë, ai kishte humbur gjurmët.

Publikimi i raportit  të KE-së për mungesën e masave të sigurimit si dhe bashkëpunimit midis shërbimeve antiterroriste në 28 vende anëtare të BE-së, është ai që ka nxitur verifikimet e reja.

Ndërsa, ISIS ka humbur terren në Lindjen e mesme, pasi trupat qeveritare të Assadit rimorën kontrollin e qytetit antik të Palmirës. Assadi e konsideroi si një hap të rëndësishëm në luftën kundër terrorizmit.

Top Channel