Alarmi i ekspertëve të terrorizmit: Në shënjestër centralet bërthamore

26/03/2016 20:00

Koordinatori i antiterrorizmit në BE, Gilles de Kerchove, paralajmeroi mbi rrezikun e sulmeve kibernetike ndaj rrjetit energjetik të Belgjikës, atij të transportit, por edhe centraleve bërthamore.

Disa orë përpara kësaj deklarate, disa media raportuan për vrasjen e një roje sigurie të një kompleksi atomik belg dhe vjedhjen e mjetit të tij të identifikimit.

Në intervistën e dhënë të përditshmes “La Libre Belgique”, de Kerchove tha se goditje të tilla mund të ndodhin tani shpejt, apo edhe në harkun kohor të disa viteve.

“Nuk do të çuditesha nëse brenda pesë viteve në vijim do të kishte ndonjë përpjekje për sulme përmes internetit. Një sulm i tillë do të përfshinte thyerjen e sigurisë së sistemeve kompjuterike që kontrollojnë objekte si një central berthamor, një digë, një kullë kontrolli të trafikut ajror, apo dhe pikat ku realizohet ndërrimi i drejtimit të trenëve”, deklaroi Kerchove.

Paralajmërimet e zyrtarit europian vijnë në kohën kur Belgjika mbetet në gjendje gadishmërie të lartë pas shpërthimeve të së martës në kryeqytet, ku vdiqën 31 vetë e u plagosën rreth 300 të tjerë.

Aktivistët në Belgjikë, por edhe ata të disa shteteve fqinje, përfshirë Gjermaninë, kanë shprehur shqetësim në lidhje me sigurinë e komplekseve nukleare të vendit, të cilat kanë pasur së fundmi një seri problemesh, përfshirë këtu një incident ende të pazbardhur sabotimi.

Ndërkohë, me arsyetimin se mund të pengojë hetimin e organeve policore, autoritetet belge apeluan për shtyrjen e “marshimit kundër frikës”, të planifikuar të mbahet të dielën.

Top Channel